Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, si kundërpërgjigje ndaj sulmit elektronik kundër kompanisë kinematografike “Sony Pictures”.
Presidenti amerikan Barack Obama firmosi një urdhër ekzekutiv ditën e premte, që lejon aplikimin e sanksioneve ndaj tre organizatave koreano-veriore dhe 10 individëve nga ky vend.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se lëvizja ishte një reagim ndaj veprimeve “provokuese, destabilizuese dhe represive të Penianit”.
Këto sanksione u shtohen atyre të mëparshme të vendosura nga administrata amerikane ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit bërthamor.
Por veprimet e së premtes thuhet se janë të parat që SHBA ndërmarrin për të ndëshkuar çdo vend për sulme elektronike ndaj kompanive amerikane.
Mes tyre janë:
Byroja Qendrore e Zbulimit, agjencia kryesore e inteligjencës së KV;
KOMID, kompania kryesore e armëve e vendit komunist;
Korea Tangun Trading Corporation, që mbështet kërkimet e shtetit në fushën e mbrojtjes;
Jang Song Chol dhe Kim Yong Chol, përfaqësuesit kryesorë të kompanisë KOMID, njëri prej të cilëve në Iran;
Ryu Jin dhe Kang Ryong, gjithashtu zyrtarë të KOMID dhe anëtarë të qeverisë koreane, të cilët sipas Uashingtonit aktualisht po veprojnë në Siri.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u thanë mediave se këto sanksione synojnë të izolojnë edhe më tej industrinë e mbrojtjes së Koresë së Veriut, me qëllim zmbrapsjen e sulmeve të mëtejshme elektronike.
Presidenti Obama dhe FBI fundvitin e kaluar akuzuan Penianin si autor të sulmeve ndaj “Sony”, edhe pse ekspertë të sigurisë elektronike hodhën dyshime mbi këtë.
Top Channel