
Autoritetet greke dyshojnë se numri i personave që udhëtonin me tragetin “Norman Atlantic” është më i madh nga lista e ofruar nga kompania e udhëtimit në momentin e lënies së porteve greke.
Korrespondenti i Top Channel në Athinë, Artur Bibe thotë se situata mbetet kaotike sa i përket numrit të saktë të personave që janë shpëtuar, të personave që mungojnë dhe të totalit të personave që kanë qenë në bordin e anijes në momentin kur ajo ka marrë flakë.
Për palën greke ky numër me shumë gjasa ka qenë 472 vetë, ndërsa për italianët 427 vetë. Greqia ka në zonë katër helikopterë, një avion, një frigatë dhe një motovedetë. Gjithashtu pala greke kërkon të vendosë një grup grek për t’iu bashkuar ekipit italian që ndodhet në bord për të gjetur persona të tjerë në anije.
Athina kërkon që anija e braktisur tashmë, të lidhet në portet shqiptare, përkatësisht në Pasha Liman, ndërsa pala italiane, që ka marrë përsipër rolin drejtues në operacionin e shpëtimit këmbëngul në dërgimin e anijes në portet e veta.
Sa i përket qendrimit të palës shqiptare, nuk ka asnjë kundërshtim se përse anija të mos ankorohet në brigjet tona, lidhur edhe nga afërsia gjeografike.
Ndërkohë, nga Roma korrespondentja e Top Channel, Irida Cami thotë se kanë nisur polemikat mbi mënyrën dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit. Për këtë autoritetet italiane kanë nisur një hetim për të zbardhur jo vetëm shkaqet e zjarrit, që paraprakisht besohet se ka nisur në një kamion, por edhe përgjigjen e grupeve të shpëtimit për të gjetur nëse është gabuar diku.
Top Channel