Po planifikonin sulme gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, autoritetet turke arrestojnë 117 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik pas bastisjeve në Stamboll
Disa dhjetëra mijëra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të agjentit të policisë së Nju Jorkut, Rafael Ramos, një nga dy policët që u ekzekutuan një javë më parë.
Zv.presidenti amerikan Joe Biden vlerësoi “departamentin e policisë më të mirë në botë” në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë forca policore nga mbarë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Turma të mëdha policësh parakaluan për në varrezat e Nju Jorkut, të shoqëruar edhe me një grup helikopterësh që fluturuan në shenjë respekti për viktimën.
Agjenti Ramos dhe kolegu i tij Wenjian Liu u qëlluan për vdekje me armë zjarri pas javësh të tëra protestash ndaj vrasjes së të rinjve me ngjyrë nga policia.
Agjentët e policisë të pranishëm në këtë funeral shpërfillën sërish kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, që ishte shfaqur për të mbështetur disa nga protestuesit.
Ndërkohë, detajet e ceremonisë mortore të oficerit Liu nuk janë publikuar ende. Autoritetet deklarojnë se ai do të mbahet kur të afërmit e tij të mbërrijnë nga Kina.
Duke e cilësuar oficerin Ramos një “hero”, komisioneri i policisë njujorkeze, Bill Bratton njoftoi se i kishte graduar të dy agjentët në detektivë të klasit të parë, pas vdekjes.
Edhe guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo bëri homazhet e tij për të ndjerin, si dhe i shprehu ngushëllimet e tij gjithë departamentit të policisë për këtë humbje.
Top Channel