Kundër-ofensiva e kurdëve ndaj ISIS

21/12/2014 18:05

Forcat kurde, të njohur si Peshmerga, kanë marrë kontrollin e një zone të madhe në qytetin e irakian të Sinjarit, i cili kontrollohet që prej muajit gusht nga militantët e Shtetit Islamik.

Kreu i kurdëve në Irak, Masud Barzani, pohoi përparimet e mëdha të luftëtarëve kurdë. “Falë Zotit ne kemi thyer rrethimin dhe kemi hapur të gjitha rrugët që të çojnë në malin Sinjar. Çlirimi i qendrës së qytetit nuk ishte pjesë e planeve tona, por ne kemi arritur të marrim kontrollin e një zone të madhe të qytetit”, u shpreh kreu i kurdëve.

Peshmergat, të mbështetur edhe nga sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA, nisën një ofensivë në këto zona javën e kaluar. Autoritetet kurde njoftuan për herë të parë të premten se ata kishin thyer rrethimin në malin Sinjar, ku mijëra Yazidis dhe irakianë të tjerë mbaheshin të bllokuar që prej muajit gusht.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë kryer 13 sulme ajrore gjatë ditës së diel në Irak, 4 prej të cilëve kanë pasur objektiva në afërsi të Sinjarit. Në muajin gusht, SHBA, Iraku dhe vende të tjera perëndimore krijuan koalicionin kundër ISIS , duke nisur menjëherë sulmet nga ajri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA