
Qëkur rubla mori të tatëpjetën, rusët nisën të vërshojnë nëpër dyqane. Kërkesë të madhe ka pasur sidomos për mobilie dhe elektroshtëpiake, ndërsa në tregun e automobilave vërehet një lloj paniku.
Që tani ka mungesa shkruan gazeta “Wedomosti”, po shiten edhe makinat çmimet e të cilave janë rritur sakaq.
Zhvlerësimi i rublës nuk parandaloi as valën e blerjeve tradicionale për festat e fundvitit.
Numërimi se prapthi për kremtimet e mëdha ka nisur dhe qendrat tregtare të Moskës gëlojnë nga njerëzit. Blihet çdo gjë, duke filluar nga artikujt e argjendarisë, veshjet e produktet kozmetike. Mjaft konsumatorë thanë për “Reuters” se deri tani, rubla e dobësuar nuk i ka prekur as blerjet e festave, e as jetët e tyre.
“Gjërat janë shumë mirë, atmosfera e vitit të ri është e jashtëzakonshme, blerjet duket se shkojnë për bukuri. Sapo mbërritëm e po shohim të zgjedhim ndonjë parfum. Jemi nga një qytet tjetër, por erdhëm në Moskë për të bërë pazar”, shprehet një qytetare.
“Atmosfera është fantastike, edhe moti është i shkëlqyer. Nëpër dyqane ndihet fryma e festave. Po blejmë çdo gjë që na pëlqen; deri tani kemi marrë këpucë, një çantë e do blejmë dhe ca produkte kozmetike”, tha një tjetër qytetare.
Blerjet shkuan si zakonisht edhe për moskoviten, Larisa, e cila vuri re megjithatë një rritje të çmimit të ushqimeve.
“Nëse do të flasim për ushqimet, aty po, rënia e rublës ndihet. Por s’ke c’i bën, nuk i shpëton dot. Kështu e ka jeta, thjesht shpresojmë që gjërat të shkojnë për më mirë”, shprehet konsumatorja.
Edhe pse deri tani mjaft rusë shprehen se nuk e kanë ndjerë efektin e krizës, shumë shpejt mund të befasohen nga fakti që një sërë produktesh do të zhduken nga tregu e ato që do të mbeten, do të kushtojnë më tepër.
Megjithatë sipas ekspertëve, as strategjia e rritjes së çmimeve e as ajo e tkurrjes së investimeve nuk do të rezultojnë të mjaftueshme nëse ekonomia e vendit do të zhytet në recesion, duke goditur ashpër vendet e punës dhe shpenzimet.
Top Channel