Peshëngritja shqiptare tronditet sërish nga një tjetër skandal dopingu. Burime konfidenciale konfirmojnë për Top Channel se ka ardhur një përgjigje analize pozitive për sa i përket një tjetër aktiviteti sportiv të kohëve të fundit.
Ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për emrin dhe veprimtarinë që përflitet, por duke qenë se analizat e Botërorit tashmë kanë mbërritur të gjitha dhe e vetmja pozitive rezultoi Romela Begaj, kjo përgjigje analize që ka mbërritur rreth një javë më pas ka të bëjë me shumë gjasa me një tjetër aktivitet, që sa i përket pjesëmarrjes sonë është kampionati i peshëngritjes për të rinj në Qipro.
Sportisti ynë që ka marrë medalje atje dhe që u shpall kampion në një stil është Hysen Pulaku, sportist i cili në Olimpiadën e Londrës në vitin 2012 rezultoi pozitiv dhe sapo kthehet nga dënimi 2-vjeçar.
Gjithashtu sportistët shqiptarë që morën pjesë në Europianin e të rinjve ishin, Sopot Sula që mundit të rendite i 4-ti dhe Aleks Kacani, i cili nuk është kualifikuar fare.
Pulaku ka marrë pjesë edhe në Botërorin e Azerbajxhanit, por duke qenë se garonte në baterinë B nuk bënte pjesë në grupin e sportistëve ndaj të cilëve kryhen kontrolle, por në Europianin U23 në Qipro arriti të shpallej kampion Europe në një stil dhe nënkampion në dygarësh.
Gjithsesi, ende pritet konfirmimi zyrtarë nga federata sa i përket këtij sinjalizimi. Nëse konfirmohet edhe zyrtarisht emri, atëherë veç përjashtimi të sportistit, që në rast të përsëritur është i përjetshëm, pritet edhe përjashtimi i federatës sonë të peshëngritjes nga aktivitetet ndërkombëtare.
Top Channel