Janë përcaktuar dhe skuadrat e fundit që kualifikohen për në 16-she të Champions League. Roma ka humbur kualifikimin për në fazën e mëtejshme të Champions-it pasi është mundur nga rivali i drejtpërdrejtë Mançester Siti në Olimpiko me rezultatin 0-2.
Nasri dhe Zabaleta janë autorët e golave për ‘citizens’ në pjesën e dytë, gola këto që i ngjisin në vendin e dytë në grupin E në kuotën e 8 pikëve, duke zbritur Romën në vendin e tretë për të vazhduar aventurën europiane në Europa League.
Ndërkohë që Bajerni i Mynihut ka bërë detyrën edhe ndaj CSKA-së pasi ka fituar me rezultatin 3-0, duke e mbyllur këtë fazë në krye.
Në grupin F, Barcelona fiton duelin me Paris SG në ndeshjen e fundit 3-1 në “Camp Nou”, por edhe duelin për kokën e grupit. Golit të Ibrahimovic i përgjigjet shumë shpejt Messi, për t’i lënë më pas radhën Neymar dhe Suarez në pjesën e dytë që vulos këtë fitore të katalanasve. Në vendin e tretë në këtë grup është renditur Ajaksi, i cili fitoi duelin e drejtpërdrejtë për këtë pozicion që e kualifikon për në Europa League me Apoelin 4-0.
Në grupin G, Çelsi fiton me Sportingun 3-1. Fabregas, Schuerrle dhe Obi Mikel janë autorët e golave për skuadrën e Mourinho-s, e cila e mbyll në krye këtë fazë, ndërkohë që Sportingu zbret menjëherë në vendin e tretë në Europa League. Sipër tyre në vendin e dytë të këtij grupi dhe që kalon më tej në Champions janë gjermanët e Shalkes që mundën 0-1 Mariborin në transfertë.
Në grupin e fundit, H, Porto barazon me Shaktjorin 1-1 dhe kualifikohen të dyja këto skuadra për në fazën tjetër, ndërkohë që në vendin e tretë të këtij grupi renditet Bilbao që fiton 2-0 duelin direkt me Bate Borisov, duke e eliminuar këtë të fundit.
Shorti për fazën e 16-shes së Champions Leagues dhe Europa League do të hidhet ditën e hënë më 15 dhjetorë në Nion të Zvicrës.
Top Channel