Me premtimin se dy fqinjët ballkanikë kanë nevojë për krijimin e marrëdhënieve të respektit reciprok dhe të mirëbesimit është mbyllur takimi i nivelit të lartë Greqi-Turqi në Athinë.

Në prani të homologut të tij turk, kryeministri grek Samaras ka theksuar se pavarësisht se midis dy vendeve ekzistojnë çështje për të cilat ka mosmarrëveshje të konsiderueshme, bashkëpunimi dhe stabiliteti në rajon do të arrihet vetëm nëpërmjet respektit të ndërsjelltë, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar.

“Marrëdhëniet e besimit dhe ato të fqinjësisë së mirë janë të domosdoshme dhe një parakusht për rritjen e marrëdhënieve dypalëshe në nivele më të larta”, ka deklaruar Samaras.

Përsa i përket problemin qipriot, “mollë sherri” midis dy vendeve, Samaras ka thënë se qeveria e tij mbështet përpjekjet e OKB për një zgjidhje të drejtë përmes negociatave ndërkomunitare, duke shtuar se Athina do të vazhdojë të mbështesë integrimin europian të Turqisë.

Nga ana e tij, kryeministri turk ka propozuar si fillim të zgjidhjes së çështjes qipriote shfrytëzimin e përbashkët të hidrokarbureve në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros.

Gjithashtu, ai ka theksuar se Greqia dhe Turqia janë porta hyrëse, njëra drejt Europës dhe tjetra drejt Azisë dhe si të tilla kanë rëndësi të veçantë në një rrjet energjitik që kalon nga këto vende.

“Sigurisht që ka çështje që ne nuk pajtohemi. Ne kemi këndvështrime të ndryshme për shembull në çështjen e Egjeut, por do të vazhdojmë bisedimet dypalëshe paraprake për zgjidhjen e saj. Dhe, siç permendën edhe kryeministri edhe zv/kryeministri, ne duhet të fokusohemi për të zgjidhur çështjet ku kemi dallime. Ne nuk dëshirojmë tensione as në Egje, as në Mesdheun lindor”, ka thënë Davutoglu.

Në fillim të vizitës së tij, Davutoglu u takua edhe me presidentin Karolos Papoulias dhe komentet për bisedën e tyre para kamerave janë diskutuar shumë në mediat e të dy vendeve.

“Jemi fqinj, zoti Davutoglu dhe do të mbetemi fqinj. Por për këtë duhet të mbetemi fqinj të mirë”, tha presidenti Papoulias.

“Keni shumë të drejtë zoti President. Mund të ndryshojmë çdo gjë, por pozicionin gjeografik nuk e ndryshojmë dot. Dhe është një gjë e mirë që jemi fqinj, sepse historikisht ka pak fqinj, të cilët kanë kaq shumë të përbashkëta kulturore dhe marrëdhënie të mira”, tha nga ana e tij Davutoglu.

Davutoglu i përmendi më pas Papoulias se e kishte ftuar në Turqi kur ishte ministër i Jashtëm dhe i përsërit ftesën tani si kryeministër. Ndërsa Presidenti grek u përgjigj në mënyrë diplomatike, pasi e ka falënderuar, se kanë kaluar 62 vjet nga vizita e fundit e kreut të shtetit turk në Greqi.

Ndërkohë, mbi 70 afaristët turq që shoqëronin kryeministrin Davoutoglou janë interesuar për rritjen e investimeve turke në Greqi, të cilat deri tani përfaqesohen nga rreth 10 kompani me vlerë investimi deri në 70 milionë euro.

Në kundërshtim kjo me biznesmenët grekë që kanë investuar rreth 6.6 miliardë euro në më shumë se 500 biznese në Turqi, prej të cilave gjysmat vetëm në Stamboll. Afaristët turq kanë shprehur interes për sektorët e turizmit, hotelerisë, ndërtimeve, marinës tregetare, etj.

Por pavarësisht klimës së mirë në këtë vizitë dyditore të kyreministrit turk në Athinë, dy vendet perveç çështjes qipriote ende nuk gjejnë një zgjedhje përfundimtare sa i takon të drejtave territoriale në Detin Egje, si dhe për liritë fetare në Trakë të Greqisë verilindore, apo në Stamboll ku ndodhet edhe Patriarkana Ekumenike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA