Shumica e qytetarëve në Maqedoni mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Sipas një hulumtimi që ka kryer Fakulteti për Siguri në Shkup, 81 për qind e qytetarëve janë deklaruar pro anëtarësimit në NATO dhe 68 për qind mbështesin integrimin në BE.

Anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat Euro-Atlantike, sipas ministrit maqedonas të Mbrotjes, Zoran Jolevski, ka rëndësi të madhe për stabilitetin e vendit dhe në rajonit.

“Evropa do të jetë ndryshe nëse Maqedonia anëtarësohet në NATO. Për stabilitetin e rajonit është i rëndësishëm edhe anëtarësimi i Malit të Zi. Integrimi i këtyre dy vendeve në NATO nuk është i rëndësishëm vetëm për stabilitetin e brendshëm, por për gjithë rajonin dhe Evropën”, ka thënë Jolevski.

Megjithatë, edhe përkundër vullnetit të shumicës së qytetarëve, anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat Euro-Altantike mbetet një proces i vështirë.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski ka deklaruar se Athina zyrtare nuk po shfaq interes për zgjidhjen e problemit bilateral të emrit, që sipas tij është pengesa kryesore për integrimin e vendit.

“Republika e Greqisë ka prioritete të tjera dhe dëshiron të shmangë çështjen e emrit, prandaj po kërkon të gjejë argumente për ta bërë këtë sa më mirë. Asnjë nga argumentet që jep pala greke në këtë drejtim nuk është me rëndësi, pasi në samitin e NATO-s në vitin 2008 u konstatua se Maqedonia përmbush të gjitha kriteret, përveç problemit të imponuar me emrin që nuk është kriter i vendosur nga NATO”, ka thënë Popovski.

Por, pala greke këmbëngul se çështja e emrit nuk është problemi i vetëm që mban peng integrimin e Maqedonisë. Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, gjatë një prononcimi për mediat, si sfidë serioze ka përmendur raportet ndëretnike, moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe problemin e gjuhës që ka Maqedonia me Bullgarinë.

Shefi i diplomacisë greke ka thënë se Shkupi ka probleme të hapura me të gjithë fqinjët dhe nuk mund të bëhet faktor stabiliteti në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA