Vetëm pak orë pasi u shpall kampion i botës në peshëngritje në peshën deri në 77 kilogram, në një intervistë telefonike për Top Channel nga Kazakistani, Daniel Godelli rrëfen emocionet e para.
“Ishte një punë e madhe e bërë nga të gjithë, duke filluar nga Federata e Peshëngritjes, në veçanti nga presidenti. Këtë herë kemi pasur fatin e mirë që kemi pasur trajner të ekipit kombëtar Luan Shabanin, i cili bëri të pamundurën që kjo të realizohej. Gjithashtu kemi pasur të gjithë mbështetjen e shtetit për këtë ditë. Unë e prisja dhe e ëndërroja çdo ditë atë çast. Çdo ditë kur bëja stërvitje, ajo medalje ishte përpara syve të mi. Tani e arrita atë dhe jam i lumtur. Falenderoj trajnerin dhe familjen time”, ka thënë kampioni i botës.
I pyetur lidhur me tentativën për të thyer rekordin botëror, Godelli shprehet: “E kisha provuar në palestër dhe e kisha arritur, por këtë herë nuk pata fat. Ka gara të tjera ku do ta provoj sërish. Këtë peshë e kam arritur, shpresoj ta realizoj në Olimpiadë”.
Por pavarësisht kësaj medalje, kampioni i botës kërkon tashmë të plotësojë koleksionin e tij.
“Ëndrra ime është të plotësoj koleksionin e të gjitha medaljeve”, shprehet Godelli.
I pritshëm ishte ky rezultat edhe për Presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili vlerëson punën e Godellit, të ish-peshëngritësit Luan Shabani, i cili e ka stërvitur.
“Ne këtë medalje e prisnim sepse kemi bërë një punë 6 mujore shumë serioze. Sportisti jonë, kampioni i botës, Daniel Godelli është stërvitur në Greqi nën drejtimin e një trajneri kampion bote, të shqiptarit, Luan Shabani. Ishte me të vërtetë kënaqësi për ne kur flamuri shqiptar ishte mbi atë kinez dhe atë korean”, tha presidenti i Federatës së Peshëngritjes.
Ndërkaq, për Erkand Qerimajn, Presidenti Gjoza u shpreh se ai pësoi një traumë.
“Erkandi kaloi një traumë. Nga kjo gjendje jo e mirë që kishte bëri një sakrificë në stilin e shkëputjes dhe në stilin e shtytjes ai ishte i dëmtuar dhe nuk u paraqit mirë”, u shpreh Gjoza.
Top Channel