Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri do të ndihmojë për avancimin e kuadrove shqiptare në vendet e rajonit, përmes regjistrimit të kandidatëve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva, në ciklin e dytë të studimeve me kuotë të plotë në Universitetin e Tiranës.
Ky vendim është mirëpritur nga shqiptarët në Maqedoni. Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi ka kërkuar që kuotat të jenë më të larta në drejtimet teknike dhe në shkencat e mjekësisë, ku sipas tij shqiptarët e Maqedonisë kanë mungesë të kuadrit të nevojshëm.
“Bëhet fjalë për master profesional dhe master shkencor. Kemi kërkuar që kuotat të jenë më të larta në drejtimet teknike dhe në shkencat e mjekësisë, sepse këtu jemi në defiçit në aspektin e kuadrove për ciklin e dytë dhe të tretë. Ju bëj thirrje të gjithë kandidatëve të interesuar që të aplikojnë me qëllim shfrytëzimin e mundësisë në Universitetet e Shqipërisë dhe në këtë mënyrë të ndihmohet edhe në krijimin e kuadrove të reja”, ka deklaruar Ademi.
Ministri Ademi bëri të ditur se, skadimi i afatit të marrëveshjes për arsim me Shqipërinë nuk përbën pengesë për studentët nga Maqedonia dhe paralajmëroi se rinovimi do të ndodhë gjatë këtij muaji.
Ministria e Arsimit në Tiranë ka caktuar një kuotë për pranimin e 150 studentëve nga vendet e rajonit për ciklin e dytë të studimeve, të cilët do të kenë kushte të njëjta me kandidatët nga Shqipëria.
Top Channel