“Përkeqësim i klimës së biznesit”/ Investitorët e huaj të shqetësuar për korrupsionin, informalitetin dhe stabilitetin fiskal Zëvendëspresidenti Katainen dhe Komisioneri francez Moskovici publikuan “Parashikimin Ekonomik të Vjeshtës 2014”, që përmbledh faktet dhe të dhënat kombëtare për secilin vend anëtar të BE-së dhe, për herë të parë, ky dokument strategjik përfshin dhe Shqipërinë, meqenëse vendi gëzon statusin kandidat prej Qershorit të kaluar.
“Faktorët specifikë të vendeve po kontribuojnë në dobësinë e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Europian dhe të eurozonës në veçanti. Faktorë të tillë përfshijnë probleme strukturore të rrënjosura thellë e të njohura më së miri që para krizës; kapërcim të borxhit publik dhe privat; fragmentim të vazhdueshëm financiar lidhur me krizën sunduese të borxhit; si dhe mospërmbushja dhe pasiguria për agjendën e reformave në disa prej shteteve tona anëtare”, tha Jyrki Katainen, zv/president i KE për Zhvillim dhe Punësim.
Dobësitë e vërejtura nga Komisioni në Francë e Itali vlerësohen se frenojnë disi shërimin e ekonomisë europiane. Raporti përcakton inflacion të ulët dhe punësim të lartë për zonën e Euros. Veprimtaria ekonomike në Europë parashikohet të forcohet gradualisht gjatë 2015-s dhe të përshpejtohet më tej në 2016-n.
“Ritmi aktual i veprimtarisë ekonomike nuk lejon përvetësim të shpejtë dhe masiv të kapaciteteve të tepërta. Rritja e punësimit në vitin 2014 dhe 2015 pritet që të jetë e kufizuar dhe duhet të fitojë shpejtësi në vitin 2016”, tha Pierre Moscovici, Komisioner për çështjet ekonomike e financiare, taksat e doganat.
Për Shqipërinë, 2013-a shënoi rritjen më të ulët ekonomike që prej 1997, vetëm 1,4%, shkaktuar, sipas raportit, nga ulja e kërkesës së brendshme dhe e investimeve, pasiguria për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit, besimi i vogël dhe kreditë e dobta.
Veprimtaria ekonomike e vendit parashikohet të forcohet gradualisht, falë “programit ambicioz për pastrim të borxhit publik dhe të projekteve të mëdha, të planifikuara me mbështetjen e investimeve të huaja”, thuhet midis të tjerash në këtë dokument.
Raporti përmend defiçitin e madh buxhetor të 6 viteve të fundit në vend, problemet e kompensimit financiar për pronat, risqet fiskale dhe sektorin e pareformuar të energjisë, si dhe faktin që Shqipëria ka nivelin më të lartë rajonal të borxhit publik, përtej kufirit 70%.
Vendi vlerësohet për rritjen e punësimit për sektorin jobujqësor gjatë 9 muajve të parë të këtij viti dhe norma e papunësisë parashikohet të ulet në 5.4%, në 2016-n. Rënia e lehtë e papunësisë pritet të shkaktojë rritjen e konsumit të brendshëm. Inflacioni pritet të afrohet brenda niveleve të synuara të Bankës Qëndrore 2-4%.
Por, sipas raportit, nevojat për konsolidimin fiskal dhe nxitimi i pritshëm për rritjen e importeve tregon se qeveria dhe sektorët e jashtëm kanë të ngjarë të zvarrisin rritjen ekonomike për vitet e ardhshme. Nga 1.8% këtë vit, në 2016-n parashikohet një rritje ekonomike 3,5% për Shqipërinë, një shifër kjo dy herë më e lartë se parashikimi për vendet e Eurozonës (1.7%).
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel