Vrasja e liderit të kartelit të fuqishëm të drogës ‘El Mencho’/ Meksika në kaos, të shtëna me armë në aeroport, anulohen fluturimet Mollë sherri midis Greqisë, Qipros dhe Egjiptit nga njëra anë dhe Turqisë nga ana tjetër është bërë Zona Ekskluzive Ekonomike e Qipros pasi anija eksploruese “Barbaros”, e dërguar nga pala turke pranë brigjeve të ishullit, nën survejimin e disa anijeve luftarake të Turqisë, ka shkaktuar reagimin e Athinës, Nikozisë dhe Kajros.
Në një deklaratë të përbashkët ministrat e Jashtëm të tre vendeve i kanë çuar Turqisë një notë proteste, duke i kërkuar qeverisë që të respektojë të drejtat sovrane të Qipros.
Tre vendet mesdhetare shprehin keqardhje për veprimet e fundit të paligjshme të kryera brenda ZEE-së të Qipros, si dhe kërkimet e paautorizuara sizmike brenda kësaj zone. Ato i kanë kërkuar Ankarasë t’i ndalojë ato duke theksuar se, “çdo veprim i njëanshëm dëmton më tej stabilitetin dhe sigurinë në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme”.
Pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, Athina zyrtare ka urdhëruar dërgimin në këtë zonë të një fregate dhe një nëndetëseje të Flotës së saj luftarake.
Tregues i situatës kritike është edhe fakti që në Qipro udhëton në ditët e ardhshme edhe kryeministri Antonis Samaras, ndërkohë që në kryeqytetin Nikozi ka qenë edhe ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos.
Ky i fundit, duke komentuar dërgimin e trupave ushtarake greke në zonën detare të Qipros, ka theksuar se Athina ka detyrime ndërkombëtare dhe se fregata shkon në këtë zonë si pjesë e UNIFIL-it, forcës së OKB për Libanin, ndërsa nëndetëjsa si pjesë e operacionit te NATO-s “Active Endeavour”.
Veprimet e autoriteteve turke i ka kritikuar ashpër edhe BE përmes një mesazhi dërguar Ankarasë javën e kaluar, ku theksonte se, agresiviteti që tregon ajo në rajon nuk do të pranohet nga shtetet anëtare të tij.
Nga ana e saj, Turqia vazhdon të vërë në dyshim Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros, një zonë e pasur me hidrokarbure, ndërsa dihet historikisht se prej dekadash të tëra Ankaraja dhe Athina ende nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për kufirin ujor në detin Egje, duke lënë të pashfrytëzuara pasuritë nënujore të tij.
Top Channel