Shqip: Tetori Rozë

27/10/2014 00:00

Kanceri i gjirit dhe beteja e grave me këtë sëmundje ka qenë këtë të hënë në qendër të emisionit “Shqip”, në kuadër të fushatës mediatike “Tetori Rozë” të ndërmarrë nga Top Channel.

Emisioni ka nisur me vetë gazetaren Rudina Xhunga që ka bërë kontrollin tek Onkologjiku, një vizitë kjo që ka shërbyer si apel për të gjitha gratë dhe vajzat e reja.

Më pas zhvillimi i emisionit është transferuar në studio, ku ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, politikania shqiptare nga Maqedonia Teuta Arifi dhe specialiste të fushës u janë përgjigjur pyetjeve të moderatores Xhunga.

Ka qenë pikërisht ministri Beqja, që në fjalën e tij ka treguar masat dhe reformat që po kryhen në sistemin shëndetësor për t’i bërë ballë kësaj sëmundjeje, që pavarësisht komplekseve të individit duhet të trajtohet si diçka normale.

“Në këto 12 muaj në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, ne jemi përpjekur t’i japim vlerën e shtuar problemeve të brendshme. Flasim kryesisht për barnat. Shërbimi onkologjik është përmirësuar shumë krahasuar me më parë, me buxhet të dyfishuar, por ende nuk arrijmë të plotësojmë 100 për qind nevojat e pacientëve. Ka barna që përdoren fare pak dhe për rrjedhojë janë të vështira për t’u gjetur në treg. Gjithësesi, kemi siguruar një furnizim më të plotë në vijimësi”, ka deklaruar Beqja.

Një tjetër pikë ku ministri e ka vënë theksin ka qenë rritja e kapaciteteve ekzaminuese dhe programi për një shtrirje kombëtare të mamografisë.

“Kemi rritur kapacitetet e ekzaminimeve laboratorike, funksionimin e aparateve, kemi shtuar pajisjet mamografike me dy mjete të lëvizshme. Nga data 1 në 20 tetor janë bërë ekzaminime sa ç’janë bërë në një vit më parë. Me ata mamografë që kemi aktualisht, në një vit mund të bëhen 4-5 herë më shumë nga sa bëhej më parë. Kemi njësi edhe jashtë Tirane, si dhe dy të lëvizshme”, ka thënë Beqja.

Ndërsa ka shtuar se për të luftuar këto sëmundje duhet ndihma e tërë shoqërisë, ministri ka dhënë edhe disa këshilla për një jetë të shëndetshme.

“Shqipëria vërtet nuk është një vend i pasur, familjet kanë probleme ekonomike, por disa herë në javë një ecje 40 minuta mund ta bëjë kushdo. Gjithashtu, pavarësisht buxhetit, duhet përzgjedhja e ushqimit, shmangia e alkoolit dhe jetës sedentare. Sa për ata që jetojnë në zonat rurale, ne kemi vendosur që javën e ardhshme të nisim shërbimin kombëtar, një program përmes të cilit do të thirren të gjithë shqiptarët për t’u kontrolluar”, ka shtuar Beqja.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Tetovës, Teuta Arifi ka treguar për vuajtjet e saj me këtë sëmundje, si dhe përballjen me të.

“Kam vuajtur. Atëherë nuk ua thash fëmijëve. Edhe kur mbeta pa flokë, nuk ua thash sepse nuk doja që ata të trembeshin. Isha në muajin e katërt të shtatzanisë dhe synoja vetëm të arrija muajin e lindjes”, ka treguar Arifi.

Ajo ka thënë se pasi ka kaluar momentet e vështira u është gjendur gjithmonë pranë njerëzve me të njëjtin problem, të cilëve u ka dhënë mesazhin e pastër: të kalojnë frikën.

“Sot, për cilindo që më thërret, unë shkoj për ta takuar. Duhet të kalojë frika që shkakton ky problem dhe ta trajtojmë si diçka normale. Është shumë e rëndësishme që këtë problem ta trajtojmë gjithnjë e më shumë dhe si kryetare bashkie jam angazhuar që të kemi mamografin edhe në Tetovë dhe aktualisht ai është rrugës nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Arifi.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm sipas saj është solidariteti, “kjo, për shkak se në momentin e parë ne duhet të takohemi me dikë që e ka kaluar këtë problem. Realiteti është dicka me të cilin duhet të përballemi”.

Një tjetër rol të rëndësishëm në trajtimin e kancerit të gjirit luan edhe psikologu. Orjola Pampuri, e ftuar në panel, ka treguar për marrëdhëniet e saj me pacientët e prekur nga sëmundja.

“Më ka rënë rasti të ndjek shumë paciente. Roli i psikologut është disi i vështirë për shkak të afrimitetit që duhet të krijohet me pacientin. Shumë i rëndësishëm është edhe emancipimi, të shkosh të bësh një kontroll”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe një rast konkret.

“Në rastin e një gruaje 31-vjeçare, e diagnostikuar me kancer gjiri në fazë jo të avancuar, beteja e parë ishte përballja me diagnozën dhe mjeku ia kalon atë psikologut. Duhet një periudhë kohe që gratë të pranojnë diagnozën, para vetes, familjarëve dhe shoqërisë. Psikologu ka një rol të rëndësishëm dhe është shumë aktiv në Europën perëndimore. Edhe këtu do të ndodhë”, ka shtuar Pampuri.

Emisioni ka vijuar në pjesën e tretë me intervistën e fundit të Nimfa Jaços, një javë para se të vdiste nga kanceri i gjirit.

Rudina Xhunga: Si është të përballesh me këtë, të flasësh për këtë?

Nimfa Jaço: Njerëzit duhet të flasin. Njerëzit të cilëve unë u fola më dhanë kurajo. Lufta ndaj kancerit është një terapi, përdorimi i ilaceve, etj. Por kjo nuk është vetëm një çështje personale, ka të bëjë edhe me tërë familjen.

Rudina Xhunga: Si ishte kur e zbuluat që ishit e sëmurë?

Nimfa Jaço: Nuk ishte e thjeshtë. Do luftoja për vete, për burrin, për fëmijët. Por edhe ata luftuan për mua.

Rudina Xhunga: A pate sjellje inatçorre të tipit, pse më ndodhi mua kjo?

Nimfa Jaço: Jo, nuk pata gjëra të tilla. Por është diçka me të cilën duhet të përballesh.

Rudina Xhunga: Në atë kohë ju ishit e shtruar në sanatorium

Nimfa Jaço: Po, e rrethuar nga kordonë e mjete të tjera, por e përballova.

Rudina Xhunga: Libri juaj ka shumë momente ku mund të ndalosh

Nimfa Jaço: Ajo që doja të transmetoja me këtë libër janë gjërat me vlerë dhe mendoj se ia kam arritur. Ka edhe momente kur trishtohem, por kam zgjedhur të jap mesazhe të mira për jetën dhe më vjen mirë që i kam transmetuar.

Rudina Xhunga: Shpresa për ju është ndryshe… Ju dhe jeta në ç’marrëdhënie jeni?

Nimfa Jaço: Besoj që shpirti i njeriut vazhdon të jetojë. Jeton me ato që ke lënë dhe unë kam lënë shumë, shumë dashuri. Kam shpërndarë shumë dashuri.

Rudina Xhunga: Si e gjeni kohën për ta ndarë?

Nimfa Jaço: Kam qenë shumë e vëmendshme ndaj njerëzve. Jam kontaktuar nga shumë njerëz të sëmurë dhe u kam dhënë atyre mesazhin tim.

Rudina Xhunga: Njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje kohës për tjetrin

Nimfa Jaço: Kjo është një fatkeqësi.

Rudina Xhunga: Fëmijët tuaj janë jo vetëm të kujdesshëm për ju por edhe shumë të lidhur me ju. Çfarë bëtë ju që i afruat?

Nimfa Jaço: Nuk është kollaj të edukosh fëmijët, sidomos në kohëra moderne, por atëherë ishte pak ndryshe dhe u kam qëndruar pranë.

Rudina Xhunga: Jui është i vogli i familjes tuaj dhe erdhi në përurimin e librit

Nimfa Jaço: Po, dhe ai u tregua shumë dinjitoz atje. Ai është gëzimi i jetës sonë dhe erdhi në jetë pikërisht kur po luftoja sëmundjen. Edhe ai luftoi për jetën e tij dhe fitoi.

Rudina Xhunga: A e ka një fund kjo luftë?

Nimfa Jaço: Po, e ka. Jeta është realiteti dhe ka edhe humbje.

Rudina Xhunga: Ju e keni pranuar këtë?

Nimfa Jaço: Po, e kam pranuar.

Rudina Xhunga: Kush është më me rëndësi kur gjërat e tjera duken se janë në rregull?

Nimfa Jaço: Për mendimin tim janë marrëdhëniet. Marrëdhënia ime ka qenë shumë e mirë me njerëzit. Marrëdhëniet me gratë e thjeshta me të cilat kam punuar në Romë kanë qenë të afërta. Kam pasur marrëdhënie me femra të trafikuara, të dënuara për krime, por kam qenë pranë tyre. U thosha ‘keni bërë atë që keni bërë, keni shlyer dënimin’. Kam punuar edhe për krijimin e një fondacioni për gratë e varfëra që duhet të mjekohen tek onkologjiku. Ju vij në ndihmë kur nuk kanë para për të blerë ilaçet dhe për probleme të tjera. Ju vij në ndihmë për paditurinë, u jap informacion për t’u thënë se çfarë i pret, sepse shumë nuk e dinë se çfarë ndodh më vonë.

Rudina Xhunga: Ka gjëra që i keni peng, ose pezull?

Nimfa Jaço: Ndonjë gjë të vogël që mund ta kisha bërë më mirë shumë vite më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA