Bajernit i ka mjaftuar pjesa e parë për të mbyllur kryendeshjen e kësaj mbrëmjeje të Ligës së Kampioneve e cila u rikthyer me goleadë.
Megjithëse në letër diferenca mes dy skuadrave nuk ishte kaq e thellë, ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola mposhti 1-7 verdhekuqtë e Rudi Garcias.
Serinë e golave e hapi Robben që në minutën e 9 të takimit. Në minutën e 23 Gëtze dyfishon rezultatin pas një aksioni model me disa kombinime të bukura me Myler. Roma çoroditet në fushë dhe 2 minuta më vonë është radha e Levandovskit, ndërsa në minutën e 30 Robben shënon golin e dytë personal dhe të katërtin për bavarezët. Gjashtë minuta më vonë Myler shënon golin e pestë nga pika e bardhë e 11 metërshave.
Me këtë gol u mbyll pjesa e parë e takimit. Në të dytën Roma u hodh në sulm për të gjetur golin e nderit, i cili mbërrin vetëm në minutën e 66 nga Zhervinjo. Pas këtij goli Bajerni rimerr frenat e lojës në dorë dhe në minutën e 78 gjen golin e gjashtë dhe dy minuta më vonë atë të shtatin.
Në minutat e mbetura bavarezët humbën edhe disa raste të tjera shënimi, veçanërisht njëri i Ribersë që goditi brenda zonës, por topi shkoi në rrjetën e jashtme.
Në takimet e tjera Barcelona mposhti 3-1 Ajaksin. Nejmar, Mesi dhe S. Ramirez shënuan për katalanasit, ndërsa për holandezët El-Ghazi. Në Qipro një gol i i Kavanit në minutat e fundit të takimit i dha fitoren skuadrës së PSG-së, ndërsa në Londër, Çelsi shkatërroi 6-0 Mariborin.
Porto fitoi 2-1 ndaj Atletikos së Bilbaos në Portugali, ndërsa Shalke mposhti më vuajtje 4-3 Sportingun e mbetur me 10 lojtarë që në minutat e hershme të takimit. Goleadë pati edhe në sfidën mes bjellorusëve të BATE-s dhe Shakhtarit, ku këta të fundit fituan 7-0.
Top Channel