
Atleti afrikano-jugor Oscar Pistorius nuk duhet të shkojë në burg për vrasjen e partneres së tij Reeva Steenkamp.
Kështu ka deklaruar oficeri i lirimit të tij me kusht, në seancën dëgjimore të zhvilluar këtë të hënë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tij.
Oficeri, i thirrur nga avokatët mbrojtjës, tha se Pistorius duhet të dënohet me arrest shtëpie ose me punë në komunitet. Prokurori i çështjes, Gerrie Nel e cilësoi sugjerimin si “tronditës dhe të papërshtatshëm”.
Muajin e kaluar Pistorius u shpall fajtor për vrasjen e modeles Steenkamp, por u shfajësua nga akuza e vrasjes së qëllimshme. Vendimi u kritikua nga familja e viktimës.
Atleti rrezikon të përballet me 15 vjet burg, edhe pse gjyqtarja e çështjes Thokozile Masipa mund ta pezullojë vendimin dhe ta konvertojë atë në një gjobë.
Ajo tha se Pistorius kishte vepruar në mënyrë neglizhente kur kishte qëlluar të dashurën përmes derës së tualetit dhe se kishte menduar se në vend të saj ndodhej një hajdut.
Në seancën dëgjimore, Joel Maringa, një oficer i shërbimit të burgjeve i thirrur nga mbrojtja, tha se Pistorius duhet të kryejë shërbime në komunitet dhe të marrë tre vjet arrest shtëpie sesa burgim.
“I akuzuari do të përfitojë nga shërbimi i korrektimit. Kjo do t’i japë atij mundësinë të modifikojë sjelljen e tij. Ne nuk themi se ai duhet të shkatërrohet, pasi ai do të kthehet sërish mes komunitetit”, deklaroi Maringa.
Por prokurori Gerrie Nel u përgjigj: “Këto sugjerime janë shokuese dhe të papërshtatshme. Ato janë njësoj sikur i pandehuri të mos dënohet fare”.
Top Channel