Meta: Territori, një nga reformat historike

13/10/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në punimet e Sesionit të 131 të Unionit Ndërparlamentar që po zhvillohet këtë javë në Gjenevë të Zvicrës, në krye të delegacionit të përhershëm parlamentar shqiptar.

Gjatë këtij sesioni, ku merrnin pjesë kryetarë dhe delegacione parlamentare nga e gjithë bota, debati i përgjithshëm u përqëndrua në çështjen e arritjes së barazisë gjinore dhe dhënien fund të dhunës ndaj grave.

Në fjalën e mbajtur, kreu i Kuvendit Meta theksoi se reforma e re administrativo-territoriale do të ndihmojë në trajtimin më efikas të dhunës ndaj gruas.

“Një nga reformat e mëdha historike që kemi kaluar këtë vit në Kuvend është “Reforma Territoriale dhe Administrative”, përmes së cilës kemi në plan të reduktojmë në mënyrë drastike numrin shumë të madh dhe të panevojshëm të autoriteteve lokale. Dhuna ndaj grave është një nga ato shqetësime që do të trajtohen në mënyrë më efektive me konfigurimin e ri të vendit, pasi presim të ketë një funksionim më të mirë të mekanizmave lokalë të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit”, deklaroi Meta.

Më tej në fjalën e tij, Meta përmendi dhe një sërë masash të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mekanizmat e vëna në zbatim për barazinë gjinore.

Top Channel