Vasili: Mirëpresim opozitën në delegacion

12/10/2014 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp, ka shprehur dhe njëherë angazhimin e LSI-së për bashkëpunimin me opozitën, pavarësisht, paqartësive të saj, sipas Vasilit, lidhur me jetën Parlamentare.

“Për ne është e pamundur që të vlerësojmë dhe të kuptojmë qëndrimet me karakter “meteorologjik” të PD-së. Të kuptojmë kur bie shi dhe kur del dielli në Partinë Demokratike, kur vendosin të marrin pjesë në seanca parlamentare dhe kur jo, kur vendosin të mos marrin pjesë në asnjërin prej aktiviteteve, por të marrin pjesë vetëm në delegacione. Megjithatë ne do ta pranojmë opozitën megjith pavendosmërinë për të marrë vendime të mëdha që ajo ka dhe të vazhdojmë të jemi zemërgjerë dhe ta mirëpresim që ajo të bëhet pjesë. Mbase kjo dëshirë për të marrë pjesë në një delegacion të caktuar është një shenjë që ajo në një mënyrë të caktuar po i afrohet Parlamentit, ku është dhe vendi i natyrshëm që ajo ka dhe duhet të qëndrojë”, u shpreh Vasili.

Po ashtu, Vasili i është përgjigjur dhe interesit të medias lidhur me zërat e ngritur për akuzat ndaj kreut të Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushe, duke i cilësuar ato si intriga të neveritshme.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, u ndal dhe te vlerësimi më i fundi për ekonominë shqiptare nga “Standard e Poors”, duke e cilësuar atë ‘një shenjë pozitive për të gjithë vendin dhe për investitorët e huaj’.

Top Channel