Shërbimet publike, jo më në zyra

11/10/2014 00:00

Rreth 70 shërbime që jepen sot në zyrat në varësi të Ministrisë së Brendshme, nga viti 2015 do të ofrohen përmes automatëve të quajtur ‘komisariati dixhital’.

Rreth 70 shërbime që jepen sot në zyrat në varësi të Ministrisë së Brendshme, nga viti 2015 do të ofrohen përmes automatëve të quajtur ‘komisariati dixhital’. Kartës së identitetit dhe pasaportës do t’ju shtohen elementët e sigurisë për të mundësuar identifikimin e më shumë të dhënave për shtetasit.

“Komisariati dixhital është një automat që i lejon qytetarit të identifikohet përmes gjurmës së gishtit, kartës së identitetit apo PIN-it personal, duke ofruar një sërë shërbimesh që ofrojnë zyra e mekanizma të tjerë. Këtë mundësi e ofrojmë sot për shërbimet që ofrojnë Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit”, deklaroi ministri Saimir Tahiri.

Në janar 2015 priet të nisë edhe projekti pilot në Rinas, i njohur si e-gate, për identifikimit elektronik të pasaportave të shtetasve që udhëtojnë jashtë vendit. Por ambicja e qeverisë është dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve në një fazë të mëvonshme.

“Kemi nevojë të bëjmë gjithë dixhitalizimin e pronës dhe ta bëjmë të pamundur manipulimin e hartave. E njëjta gjë vlen edhe për shërbimet e tjera. Në këtë drejtim ky është hapi i parë dhe shumë shpejt ne do çojmë një numër shërbimesh në gjithë qendrat tregtare të vendit. Do bëjmë të mundur që pensionistët të mos mbajnë më radhën në ato barrakat prej hekuri ditën e pensioneve, por ta marrin atë në bankomate”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Theksi i kreut të qeverisë shqiptare u vu tek eleminimi i një fenomeni të shndërruar në kancer për qytetarët shqiptarë, korrupsioni. “Ky do jetë momenti i një çlirimi të madh nga makthi i ryshfeteve dhe atij korrupsioni që u nxiu jetën njerëzve për kaq shumë vite në Shqipëri”, theksoi Rama.

Duke shprehur besimin e plotë se nisma është reale dhe do të jetësohet për çështje muajsh, kryeministri ka korrigjuar edhe ministrin e Brendshëm se pasaportat shqiptare do të jenë më të sigurtat në botë, jo për vërtetësinë e kësaj shprehjeje, siç tha ai, por për mosaprovimin e tij për të propaganduar arritje si parardhësi i tij.

“As jemi, as kemi qenë dhe as do të jemi ndonjëherë të dytët pas Gjermanisë, por sot jemi para Danimarkës”, tha me shaka kreu i qeverisë.

Top Channel