
“Nuk keni pse të më doni, por duhet të më respektoni që jam këtu”. Me këtë mesazh, Conchita Wurst, fituese e këtij viti në festivalin europian të këngës (Eurovizion), tërhoqi më shumë vëmendje se Komisioneri Fule, nga mjaft adhuruesë, brenda dhe jashtë Parlamentit Europian.
Ajo ishte e ftuar nderi nga zv.Presidentja e PE, Ulrike Lunacek me nismën e një grupi eurodeputetësh nga 5 forca të ndryshme politike: PPE, socialdemokratët, liberalët, të gjelbrit dhe ekstremistët e majtë, për të përcjellë qëndrimin në mbrojtjen e të drejtave për homoseksualët dhe tranvestitët.
Ulrike Lunacek, zëvendësPresidentes së PE: Konçita Vurst ka një mesazh të rëndësishëm politik, që nuk ka të bëjë aspak me partitë. Ka të bëjë me qëndrimin e BE-së për të drejtat e barabarta, të drejtat themelore, të drejtën për të jetuar pa frikë, të drejtën e lesbikeve, gay, biseksualëve, transgjinive e minoriteteve të tjera për të jetuar të lirë.
Conchita Wurst, fituese e EUROVIZION 2014: Dikush më shkruajti në Facebook: të urreja dhe prapë e urrej se si dukesh, por ti nuk je torollake. Dhe kjo është ajo që dua. E them gjithnjë, nuk keni pse të më doni. Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin sepse gjithsecili prej nesh ka këndvështrime të ndryshme.
Austriakja Conchita Wurst u bë ikonë e spikatur për LGBT kur nisi të shfaqej hapur ndaj politikanëve që kundërshtonin të drejtat e këtij grupi në shoqëri.
Top Channel