Si u përgjuan deputetët dhe ambasadorët

09/10/2014 00:00

Raporti i komisionit të kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë e shërbimeve sekrete shqiptare hedh hije të forta dyshimi mbi përgjimin e personave me imunitet, ose e thënë më thjeshtë deputetëve të opozitës së djeshme, liderit të opozitës Edi Rama, apo aleatit të dikurshëm në qeveri të Sali Berishës, Ilir Meta e madje edhe ministrave të kabinetit të kaluar qeveritar e deri ambasadorë që kanë zhvilluar apo zhvillojnë ende aktivitetin në Shqipëri.

Top Channel ka mundur të sigurojë nga burime jozyrtare të dhëna nga raporti që është lexuar pak javë më parë në Komisionin parlamentar të Sigurisë dhe më specifikisht atë pjesë që ka të bëjë me përgjimet.

Por si është realizuar përgjimi i personave me imunitet? Cili ka qenë mekanizmi dhe teknaliteti ligjor për të arritur deri tek deputetët, ministrat e madje edhe ambasadorët?

Nga raporti rezulton se këta persona nuk janë përgjuar direkt, por janë vendosur në përgjim duke marrë miratimin nga prokuroria të personave të tretë. Këta janë persona të zakonshëm, por të njohur për komunikimet e shpeshta për arsye të ndryshme me deputetë apo ministra. Në këtë mënyrë, nga përgjimi i të tretëve është arritur të përgjohet edhe aktiviteti i personave me imunitet.

Ajo që e ben të dyshimtë sipas deputetëve të gjithë këtë proçedurë është fakti se rezultatet e përgjimeve të këtyre bisedave nuk u janë dërguar sektorëve përkatës operativë, të cilët kanë kërkuar vendosjen në përgjim.

“Bisedat e personave me imunitet në përgjithësi përmbanin elementë të përditshmërisë së tyre dhe janë printuar jashtë formatit standard të miratuar, në mënyrë të paregullt, të panormuar në aktet nënligjore, të parregjistruara dhe të pa firmosura nga askush”, citohet të jetë shkruar në raport.

Prandaj, deputetët që kanë ushtruar kontrollin thonë se nuk ka qenë personi i vënë në përgjim vetëm objekti i punës së SHISH, por edhe ata me imunitet, sa kohë që këto rregjistrime janë ende pjesë e memories së aparaturave përgjuese.

Sipas tyre, nëse objekt i punës së drejtorit të SHISH do të ishte personi i vënë në përgjim, atëherë materiali i printuar duhej të përmbante nuanca të një veprimtarie që cënon sigurinë kombëtare dhe përgjimi duhej t’i kalonte direkt sektorit që kishte bërë kërkesën.

Por ka ndodhur e kundërta. Sipas raportit, “Përgjimi është printuar në një format jashtë standardit të miratuar dhe që lidhet me aktivitet private apo politike të deputetit”.

Sipas dokumentit, janë me qindra rastet e përgjimeve të tilla, për të cilat është në dijeni edhe drejtori i SHISH, Visho Ajazi. “Këto informacione janë printuar e përdorur në kundërshtim me standardin e miratuar dhe nuk janë të regjistruara në asnjë regjistër, sikundër ndodh me informacionin zyrtar të përgjimeve”, citohet raporti.

Më tej, në të kërkohet nga drejtori i shërbimit sekret që mbi bazën e detyrimit ligjor të sqarojë se cili ka qenë destinacioni i këtyre informacioneve, ku janë administruar dhe si janë asgjësuar ato.

Top Channel