
Pacienti i parë i diagnostikuar me virusin e Ebolas në tokën amerikane ka ndërruar jetë në spital.
Njoftimi u dha nga spitali ku Eric Duncan, një shtetas amerikan me origjinë nga Liberia ndodhej i shtruar që prej rezultateve pozitive të analizave.
Duncan mbahej i izoluar në spitalin e Dallasit në Teksas dhe kurohej me barna eksperimentale, të njëjtat të përdorura për shërimin e dy shtetasve të tjera amerikanë, një mjek dhe një punonjëse humanitare të infektuar në Liberi.
Më herët Shtetet e Bashkuara njoftuan ngritjen e qendrave të kontrollit nëpër pikat kufitare ku të gjithë personave që hyjnë u kontrollohet temperatura e trupit. Një ndër simptomat e para të sëmundjes është temperatura e lartë.
Më shumë se 3 mijë persona kanë gjetur vdekjen dhe mbi 7500 të tjerë janë infektuar nga virusi deri më tani, pjesa më e madhe në vendet e Afrikës Veriore.
Epidemia konsiderohet si më e madhja e njohur më parë dhe ndaj virusit nuk ka asnjë kurë të miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo e fundit prej javësh ka lëshuar alarmin dhe ka kërkuar më shumë angazhim ndaj shteteve për të parandaluar përhapjen e saj.
Uashingtoni ka dërguar më shumë se 4 mijë trupa në Afrikën Veriore, ndërsa Britania e Madhe njoftoi dërgimin e një personeli prej 750 trupash për të ndihmuar vendet e prekura nga Ebola.
Top Channel