Peniani pranon: Kampet e punës ekzistojnë

08/10/2014 00:00

Një pohim historik. Për herë të parë një përfaqësues i qeverisë së Penianit ka pranuar përpara komunitetit ndërkombëtar ekzistencën e kampeve të punës në Korenë e Veriut.

Në një konferencë për shtyp, Choe Myong Nam, ministër i Jashtëm dhe përgjegjës për marrëdhëniet me BE-në, ka deklaruar se “ato janë kampe riedukimi përmes punës”.

“Në vendin tonë nuk ka kampe burgimi, përqendrimi apo gjëra të tilla. Por ka kampe riedukimi përmes punës. Pra, riedukimi kalon përmes punës dhe njerëzit ndryshojnë duke reflektuar mbi veprimet e tyre”, ka thënë zyrtari i lartë.

Në kampet e “riedukimit” përfundojnë kriminelë të zakonshëm dhe të burgosurit politikë, edhe pse dihet se shumica e këtyre të fundit dënohen me ndëshkime të ashpra në kampe të mirëfillta përqendrimi.

Këtë e ka konfirmuar edhe Shin Dong hyk, personi i vetëm i lindur, i rritur e që më pas ka arritur të arratiset nga një kamp internimi në Korenë e Veriut.

Bëhet fjalë për kampe, ku sipas Koresë së Jugut, mbahen të mbyllur mbi 150 mijë persona. Ndërsa për Departamentin amerikan të Shtetit shifra në fjalë është 200 mijë.

Njerëzit që ndodhen brenda në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë faj, sepse pjesa dërrmuese e të burgosurve përbëhet nga djemtë apo nipërit e të dënuarve.

Kjo, pasi vetëm në Korenë e Veriut ekziston një ligj që parashikon “ndëshkimin për tre breza”, i miratuar në vitin 1972 nga Lideri i Madh dhe Presidenti i Përjetshëm, Kim Il Sung.

Top Channel