OECD: Canberra, vendi më i mirë për të jetuar

08/10/2014 00:00

Kryeqyteti australian, Canberra, është cilësuar si vendi më i mirë në botë për të jetuar, sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Canberra është në krye të një renditjeje të 362 rajoneve prej 34 kombeve anëtarë të OECD-së, në sondazhin e saj, ku Australia kryeson përgjithësisht renditjen e vendeve, e ndjekur nga Norvegjia.

Janë përdorur 9 aspekte matëse të mirëqenies, përfshi të ardhurat, edukimi, punësimi, siguria, shëndetësia dhe mjedisi. 5 qytete australiane, përfshi Sidnein, Melburnin dhe Perthin ishin mes 10 vendeve të para.

Ndër vendet kryesore janë ende Neë Hampshire dhe Minnesota në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që në fund të renditjes janë 10 shtete meksikane, të cilat konstituojnë rajonet më të “këqija” për të jetuar. Në nivel shtetesh, Meksika, Turqia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia janë cilësuar si vendet më të vështira për të jetuar.

Renditja e OECD-së është pritur me krenari dhe lavde nga disa medie australiane, ndërkohë që të tjera janë surprizuar nga këto rezultate.

Studimi i OECD-së, edhe pse gjithëpërfshirës, është një nga të paktat analiza të cilësisë së jetës nëpër vende të ndryshme.

“Vitet e fundit kemi parë një ndërgjegjësim në rritje, se statistikat makroekonomike si GDP-ja nuk u japin politikbërësve një panoramë me detajet e mjaftueshme të kushteve të jetesës, të cilat përjetohen nga njerëzit e zakonshëm”, shkruan OECD në faqen e saj zyrtare.

“Statistikat e zhvillimit, që mund të reflektojnë më së miri rangun e gjerë të faktorëve që ndikojnë te njerëzit dhe mirëqenien e tyre, janë të një rëndësie jetike për besueshmërinë dhe përllogaritjen e politikave publike, por edhe për funksionimin më të mirë të demokracisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB