Belgjikë, zhbllokohet ngërçi politik

08/10/2014 00:00

Pas katër muaj ngërç politik, partitë e qendrës së djathtë në Belgjikë kanë rënë dakord të formojnë qeverinë, e cila do të betohet ditën e shtunë.

Ekzekutivi do të drejtohet nga frankofoni Charles Michel, nga radhët e liberalëve, që do të jetë dhe kryeministri më i ri i Belgjikës që prej vitit 1841, pasi është vetëm 38 vjeç.

Marrëveshja u arrit pas 29 orë bisedime dhe 135 ditë nga dita kur belgët iu drejtuan kutive të votimit. Gjithësesi, ajo u arrit më shpejt krahasuar me atë të qeverisë së kaluar socialiste, që u nënshkrua pas një ngërçi që zgjati 541 ditë.

Zoti Michel, nga partia liberale MR, do të drejtojë një koalicion ku përfshihen edhe dy partitë e tjera, ajo e holandezëve dhe ajo e nacionalistëve N-VA.

Analistët vendas e kanë etiketuar qeverinë e re me emrin “koalicioni suedez”, për shkak të ngjyrave blu dhe të verdhë që u përkasin partive pjesëmarrëse.

“Ne e arritëm marrëveshjen, tani do të fillojmë punën”, deklaroi kristian-demokrati Kris Peeters për radion shtetërore belge, pas bisedimeve maratonë.

Ndërsa një koleg nga partia e kryeministrit Michel, Didier Reynders vlerësoi mënyrën e menaxhimit të negociatave dhe propozimin për të mbajtur defiçitin buxhetor në nivelin 3 për qind të GDP-së.

“Ne do të jemi një qeveri që do të bëjë kursime. Një qeveri e re pa socialistët përbën në vetëvete një reformë”, deklaroi Reynders.

Përveçse ka premtuar edhe uljen e taksave, qeveria e re planifikon nga ana tjetër rritjen e moshës së pensionit nga 65 në 66 në vitin 2025 dhe në 67 në 2030.

Top Channel