Shembet “Harku i të dashuruarve” në Itali në Ditën e Shën Valentinit, stuhitë zhdukin simbolin e Salentos A e dini se ku pihet makiatoja më e mirë në botë? Shumë prej jush e kanë përgjigjen në majë të gjuhës: në Itali!
Gaboheni që të gjithë! Tashmë makiaton më të mirë mund ta pini në Kosovë, madje edhe në vendet më të zakonshme të saj, siç mund të jetë një kafene modeste pranë një pike karburanti.
Të paktën kështu thotë Jo Piazza, redaktorja e “Yahoo Travel”, faqes prestigjioze online, që udhëton në vendet e botës në kërkim të së veçantës, duke promovuar turizmin.
“Mburrja me makiaton më të mirë është një zakon i vjetër kombëtar në Kosovë”, shkruan Piazza në editorialin e saj. “Kudo që të jesh, nuk ka rëndësi se ku, ju do të gjeni një makiato shumë më të mirë se sa ajo italiane”, – i ka rrëfyer një kamarier gazetares, gjatë qëndrimit të saj në një hotel në qytetin e Gjakovës.
“Sekreti”, sipas të intervistuarve, qëndron te fakti se italianët thjesht përziejnë qumështin me kafenë. Ndërsa në Kosovë, qumështi zihet dhe në sipërfaqe krijohet një shtresë e shijshme kremoze.
Dhe, si për të bërë “avokaten e djallit”, Piazza ka provokuar njerëzit, që kanë bërë guidën për të në Kosovë. “Italianët shpikën makiaton. Çfarë keni ju më shumë se makiatoja italiane?”
“Është çështje kreativiteti. E kreativitetit tonë. Makiatoja jonë është thjesht perfekte. Ne kemi shkumën perfekte, të cilën e bëjmë nëpërmjet makinës së ekspresit”, argumentojnë kosovarët.
Makinat e ekspresit janë një biznes i madh në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato janë kudo. Mund të porosisësh një makiato në çdo zonë të Kosovës: në një pikë karburanti, në një rrugë fshati, por dhe në një zonë urbane.
Dhe ato kushtojnë shumë lirë, më pak se një euro për filxhan. Makiato kosovare u lë shije të mirë të gjithëve, madje edhe italianëve që e provojnë…
Top Channel