
Autoritetet spanjolle po kryejnë hetime në një spital të Madridit, pasi një infermiere rezultoi personi i parë i infektuar nga virusi fatal i Ebolës jashtë Afrikës.
Infermierja kishte mjekuar dy misionarë spanjollë që humbën jetën për shkak të sëmundjes, pasi ishin kthyer në vend pas një turi në Afrikë.
Spitali “Carlos III” i Madridit, ku misionarët u mjekuan, raportohet të ketë marrë masa mbrojtëse, përfshirë këtu ngritjen e dhomave të izolimit.
40-vjeçarja kishte filluar të ndjente shqetësime më 30 shtator, por kërkoi ndihmë mjekësore vetëm të dielën. Ndërkohë, anëtarët e tjerë të ekipit mjekësor janë nën monitorim.
Prifti Manuel Garcia Viejo, 69 vjeç, ndërroi jetë më 25 shtator pasi u prek nga Ebola në Sierra Leone. Ndërsa 75-vjeçari Miguel Pajares vdiq në rrethana të njëjta pas një misioni në Liberi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama ka njoftuar planin për të skanuar pasagjerët që udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara. Ai ka kritikuar qeveritë e huaja se nuk kanë vepruar “me agresivitetin e duhur” për të ndalur epideminë e virusit.
“Vendet që mendojnë se mund të rrijnë rehat pasi Shtetet e Bashkuara do të merren me problemin prodhojnë një përgjigje joefikase, të ngadaltë dhe që do të sjellë vdekjet e njerëzve”, deklaroi Obama.
“Gjithashtu, kjo do të thotë se përhapja potenciale e sëmundjes përtej zonave të prekura të Afrikës Perëndimore do të bëhet një rrezik konkret”, shtoi presidenti i SHBA.
Rreth 3.400 persona kanë vdekur që nga rënia e virusit Ebola, shumica e të cilëve në Afrikën Perëndimore.
Gjasat për një rënie të sëmundjes në Shtetet e Bashkuara janë “jashtëzakonisht të ulëta”, “por ne nuk mund t’i lejojmë vetes gabime”, shtoi më tej presidenti Obama.
Top Channel