SHBA bombardon ISIS në Koban

07/10/2014 00:00

Shumë bombardime të njëpasnjëshme nga ajri tronditën qytetin e Kobanit. Përparimi i forcave të ISIS në atë zonë, ngjalli reagim të menjëhershëm tek forcat e koalicionit ndërkombëtar.

Avionë luftarakë të udhëhequr nga SHBA goditën pozicionet kyçe të militantëve në qytetin kufitar me Turqinë. Kundërpërgjigjja e Perëndimit duket se arriti pak për frenimin e ISIS, pasi ekstremistët vazhduan të rrethonin territorin e Kobanit me flamujt e tyre ngjyrë të zezë.

Sipas autoriteteve kurde ofensiva e ISIS, vetëm ditën e martë shpërnguli 400 kurd në Turqi.

“Avionët e SHBA po luftojnë në Perëndim të Kobanit , ndërkohë që ISIS kontrollon tre lagje në anën lindore të qytetit. Civilët tanë po largohen. Nuk ka më shpëtim”, thotë Rami Abdurrahman nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Ndërsa Turqia i sheh kurdët si një kërcënim të madh, sepse më shumë se 180.000 kurdë ndodhen tashmë në territorinë saj.

Presidenti turk Tajip Erdoan tha se vendi i tij do të duhet të ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Erdoan fajësoi zv.presidentit amerikan Xho Bajden për akuzën e padrejtë sipas tij, se Turqia dhe vendet e tjera të rajonit kanë mbështetur grupet ekstremiste në Siri në një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Bashar al Asadit. Erdoan mohoi se Turqia mbështet grupet ekstremiste.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë duke thënë se Biden i kërkon ndjesë Erdogan për “çdo implikimi se Turqia apo aleatët ndihmojnë në rritjen e ISIS”. Ky incidenti rizgjoi  tensionet midis dy aleatëve të NATO-s, të cilët ndajnë pikëpamje të ndryshme mbi Sirinë.

Uashingtoni kërkon që Turqia të ndërmarrë veprime më konkrete kundër shtetit islam si edhe të lejojë bazat e saj ajrore që do të përdoren si pika luftimi kundër militantëve, por Ankaraja nuk i sheh këto si zgjidhjet e duhura.

Top Channel