Renzi, fati në dorë të “reformës së punës”

07/10/2014 00:00

Kryeministri italian, Matteo Renzi, bëri të ditur gjatë së martës se pret mbështetjen e rebelëve të partisë së tij Demokratike (PD), në votëbesimin mbi planet e reformës së shumëdiskutuar të punës, votëbesim që ai duhet ta fitojë për të mbetur në pushtet.

Ish-kryebashkiaku i Firences, 39-vjeçar, ka investuar në kredibilitetin e tij politik mbi të ashtuquajturin “Akti i Punës”, i cili sipas tij është jetësor sa i përket ndihmës për të ulur papunësinë rekord të Italisë dhe të mundësojë ekonominë vazhdimisht në stanjacion, të dalë nga recesioni.

Votimi i së mërkurës në Senat, ku qeveria ka vetëm një mazhorancë të lehtë në letër, koincidon me një takim të liderëve të Bashkimit Europian në Milano, të cilin Renzi e ka thirrur për të diskutuar mënyrat se si të nxisim rritjen ekonomike dhe punësimin anembanë Europës.

Renzi shpreson që fitorja e këtij votëbesimi do të rrisë gjithashtu edhe kredencialet e tij në BE, në një kohë kur Italia është rikthyer sërish në ndjekje të zotimeve të saj për të reduktuar borxhin, ndaj dhe u shpreh optimist se ai do t’i anashkalojë mosmarrëveshjet e brendshme në Partinë Demokratike.

“Nuk jam i shqetësuar mbi pritat e mundshme që mund të më ngrenë”, tha ai për reporterët, duke iu referuar rrezikut se disa anëtarë të PD mund të votojnë kundër tij. “Jam i bindur se është mëse e natyrshme, që të gjithë senatorët të votojnë në favor të planit, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë”.

Kryeministri kërkoi këtë votëbesim, në mënyrë që t’i japë fund debatit mbi propozimet e tij të cilave u mungojnë detajet, se çfarë synon ai të bëjë për të gjeneruar më shumë vende pune.

Top Channel