ISIS, civilët largohen nga qyteti i Kobanës

07/10/2014 00:00

Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll tre rajone pas depërtimit në qytetin kufitar të Kobanës dhe pas një luftimi të ashpër të zhvilluar në rrugët e tij me luftëtarët kurdo-sirianë.

Militantët hynë në zonat lindore ditën e hënë dhe ngritën flamurin e shtetit të tyre në ndërtesa dhe kodra. Autoritetet lokale deklaruan se rreth 2 mijë civilë u larguan drejt kufirit me Turqinë.

Marrja e Kobanës, e rrethuar për tre javë, do t’i ofrojë militantëve kontroll të një vije të gjatë të kufirit turko-sirian. Mbi 160 mijë sirianë, shumica e të cilëve kurdë, janë larguar nga qyteti.

Më herët një zyrtar lokal, Idriss Nassan, tha për BBC se qyteti “do të bjerë së shpejti”. Ai konfirmoi se ISIS kishte nën kontroll Mistenurin, kodra strategjike mbi qytet dhe se atje kishte luftime të ashpra.

Aktualisht Kobane është e rrethuar në tre anë të saj. Avionë luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA raportohet të kenë kryer një seri sulmesh në orët e para të mëngjesit të së martës, edhe pse nuk dihet se cilët ishin objektivat e tyre.

Situata në Kobane këtë të martë duket më e qetë, raporton korrespondenti i BBC në afërsi të kufirit sirian, me dëshmitarët që flasin për luftime sporadike dhe jo si ato të ditës së djeshme.

Megjithatë, Karwan Zebari, një përfaqësues i qeverisë rajonale kurde në SHBA, tha për BBC se do të ishte katastrofike nëse ISIS do të merrte gjithë qytetin.

“Nëse ofensiva e tyre vazhdon, nëse nuk ka ndihma ushtarake për banorët e Kobanës dhe luftëtarët kurdë, qyteti mund të bjerë në duart e ISIS-it”, ka thënë ai.

Top Channel