ISIS, arrestime në SHBA e Japoni

07/10/2014 00:00

Një 19-vjeçar amerikan me prejardhje arabe, Mohammed Hamzah Khan, është
arrestuar në aeroportin e Çikagos nën dyshimin se po nisej për të
luftuar përkrah militantëve të ISIS.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave nga hetimet ka rezultuar se i riu synonte të bashkohej me xhihadistët në Siri dhe Irak.

Sipas CBS News, Khan është paraqitur mëngjesin e së martës në gjykatë, i prangosur dhe me tutën portokalli të të burgosurit dhe është inkriminuar për planifikim të mbështetjes materiale të një organizate terroriste të huaj.

Sipas burimeve, ai kishte në plan të shkonte në Stamboll përmes Vjenës dhe më pas të kalonte në zonat e luftës. Tani ai rrezikon deri në 15 vjet burg.

Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij, FBI ka gjetur një letër që ai ua kishte dërguar prindërve, ku thoshte se ndjente detyrën “për t’u bashkuar me kalifatin, tani që ai është kthyer në realitet”.

Ndërkohë, në Japoni, policia ka ndaluar dhe ka marrë në pyetje një student me përkatësi myslimane pasi edhe ai dyshohej se synonte t’i bashkohej frontit xhihadist.

I riu 26-vjeçar është një student i Universitetit të Hokaidos dhe ishte gati për t’u nisur për në Siri, raporton agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Zëdhënësi i qeverisë, Yoshihide Suga ka siguruar se qeveria e Tokios do të veprojë në mënyrë aktive për marrjen e masave për parandalimin e terrorizmit.

Komuniteti mysliman në Japoni është jashtëzakonisht i vogël dhe larg prirjeve radikale.

Top Channel