
Bombardimet e Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr prej saj kundër ISIS-it në Siri dhe Irak është duke ndryshuar balancën në luftime. Pentagoni thotë se ka përparim, megjithëse është i pakët.
Por këto sulme ajrore mund të kenë efekte anësore aspak të dëshirueshme dhe një tjetër “dhimbje koke” për udhëheqësit në Uashington dhe Bruksel.
Dy grupet më të fuqishme ekstremiste islamike që veprojnë në Siri, ISIS dhe krahu radikal i Al Kaedas, Al Nusra vitin e fundit përveç luftës kundër Assad kanë shpenzuar mjaft energji dhe njerëz edhe në luftën mes njëra-tjetrës. Por bombardimet kanë zbutur luftën mes dy grupeve ekstremiste që po konsiderojnë mundësinë për të vënë në zbatim postulatin “armiku i armikut tim, është miku im”.
Abu Al-Muthana al-Ansari, një komandat i lartë i Al Nusras në Alepo deklaroi në një intervistë nëpërmjet Skype për CNN se dy grupet tashmë kanë një armik të përbashkët “koalicionin e kryqëzatave”.
“Ne nuk mund të bëjmë aleancë me kryqëzatat dhe të luftojmë kundër një myslimani. Zoti thotë se kush mbështet ata, është njëri prej tyre”, deklaroi ai.
Si për të përforcuar mundësitë që dy grupet të bashkojnë forcat kundër “armikut të përbashkët” mbërrin edhe një deklaratë e rrallë e udhëheqësit të Al Nusras, Abu Muhammad al-Julani, ku sulmet e perëndimit ndaj ISIS konsiderohen si sulme ndaj islamit.
“Kjo do të zhvendosë betejën në tokën tuaj. Myslimanët nuk do të qendrojnë spektatorë teksa shohin fëmijët e tyre të bombardohen dhe vriten në tokën e vet, teksa ju qendroni të sigurtë në shtëpitë tuaja”, tha ai.
Për momentin gjithcka është në kuadrin e një mundësie, por nëse kjo mundësi realizohet, atëherë do të ndryshohet njëherë e përgjithmonë balanca mes grupeve rebele. Fuqia e ekstremistëve do të ishte tejet e madhe për t’u përballuar nga rebelët e moderuar dhe do të shndërrohej në një kërcënim serioz edhe për vetë regjimin e sfilitur tashmë të Bashar al-Assad.
Top Channel