Grevat “gjunjëzojnë” Gjermaninë

07/10/2014 00:00

Grevat e sindikatave të makinistëve të trenave dhe pilotëve mbi pagat dhe kushtet e punës në Gjermani, priten të sjellin çrregullime për udhëtarët dhe dërgesat e mallrave brenda dhe jashtë vendit, duke nisur nga mbrëmja e kësaj të marte.

Sindikata GDL e makinistëve ka bërë thirrje për një grevë kombëtare prej 9 orësh, duke nisur nga kjo pasdite, ndërsa sindikata e pilotëve “Vereinigung Cockpit” ka shpallur një grevë dyditore duke nisur nga ora 21:00 të së mërkurës, në degën e transportit të mallrave të “Lufthansas”.

Greva e makinistëve, prej 15:00 të së martës deri në 00:00 të së mërkurës, vjen pas dy grevave triorëshe gjatë javëve të fundit. Kryesisht ajo do të prekë lëvizjet e banorëve të periferisë në mëngjes, si dhe transportin e mallrave gjatë natës në thuajse 5000 trena.

GDL kërkon një rritje page prej 5 përqind dhe një javë pune të shkurtuar me dy orë, pra 37 orë në javë, nga operatori shtetëror “Deutsche Bahn”. Sindikata kërkon gjithashtu mandatimin për të negociuar mbi rojet e trenave dhe anëtarë të tjerë të personelit, por “Deutsche Bahn” i ka refuzuar ato.

Sipas saj, është propozuar ndalja e mosmarrëveshjeve mbi pagën, deri sa qeveria të kalojë një ligj për standardizimin e pagave, që do të prekë marrëveshjet e pagave për sindikatën dhe gjithë të punësuarit e tjerë, gjë që edhe GDL e ka refuzuar.

“Deutsche Bahn” ka kritikuar vendimin për të përshkallëzuar grevën dhe thotë se mund të duhet deri në mesditën e së mërkurës, përpara se trenat t’i rikthehen normalitetit. Gjithsesi është treguar e gatshme të negociojë në çdo moment.

Sa i përket grevës së pilotëve, ajo do të jetë e gjashta këtë vit, teksa sindikata e tyre synon të detyrojë menaxhimin të implementojnë një skemë, e cila do t’i lejojë ata të dalin në pension në moshën 55-vjeçare, e sërish të marrin një pjesë të pagës së tyre.

“Lufthansa” ka përllogaritur se greva do të kushtojë rreth 70 milionë euro deri më tani, por gjithsesi, ajo nuk do të ketë ndikim te pasagjerët.

Top Channel