
Franca bëri të ditur gjatë së martës se ishte jetike të vepruarit për të ndalur avancimin e Shtetit Islamik në qytetin kufitar të Sirisë me Turqinë, Kobane, si dhe se po e diskutonte këtë çështje me Turqinë mbi atë se çfarë duhet bërë.
“Rrezikojmë shumë me Kobanen dhe çdo gjë e mundshme duhet bërë, në mënyrë që terroristët mizorë të ndalen dhe të zmbrapsen”, tha ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, përpara Parlamentit francez. “Një tragjedi po shpaloset, ndaj duhet të reagojmë të gjithë bashkë”.
Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, tha se Kobane apo Ayn al-Arab siç njihet në arabisht, pritet të bjerë në duart e Shtetit Islamik, pasi këta të fundit avancuan në Jugperëndim të qytetit të rrethuar, pas një sulmi thuajse trejavor që ka marrë jetët e 400 personave deri më tani.
Fabius tha se kishte folur me homologun turk, Mevlut Cavusoglu, dhe se Presidenti Francois Hollande do të fliste me Erdoganin gjatë orëve të vona të së martës, “për të parë mundësitë e reagimit përpara kësaj situate urgjente”.
Ai nuk dha detaje, se çfarë ndihme mund të ofronte Franca, ndërsa zyrtarët e tjerë refuzuan të komentonin për gjëra specifike.
Shteti Islamik, një degë e al-Qaedas që ka marrë kontrollin e pjesëve të mëdha në vendet fqinje, Siri dhe Irak, ka përshkallëzuar ofensivën e tij gjatë ditëve të fundit kundër qytetit kufitar të Kobanes, me popullsi kryesisht kurde, pavarësisht se është vënë në shënjestrën e sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Amerikës, që synojnë të ndalin avancimin e tyre.
Franca ishte vendi i parë pas Shteteve të Bashkuara që nisi sulmet ajrore ndaj kryengritësve në Irak, duke zhvilluar dy të tilla dhe duke armatosur forcat kurde “Peshmerga”. Por, ajo ka përjashtuar sulmet ajrore në Siri, duke thënë se vetëm do të përforcojë dhe trajnojë rebelët e moderuar në terren, duke mos dhënë detaje të tjera mbi këto përpjekje.
Fabius do të takohet me Cavusoglu në Paris, të premten, ndërsa tashmë përsëriti se Franca duhet të shtojë mbështetjen e saj për Ushtrinë e Lirë Siriane. “Do të duhet të përforcojmë bashkëpunimin tonë me forcat që janë në terren, të cilët po luftojë ekstremistët e Shtetit Islamik”, tha ai.
Top Channel