Azi, shkëmbim zjarri mes dy Koreve

07/10/2014 00:00

Një shkëmbim i shkurtër zjarri është verifikuar këtë mëngjes mes
motovedetave të dy Koreve, për fat të mirë pa lënë pasoja tek palët
përkatëse.

Sipas Shtabit Madhor të Seulit, një anije e marinës së Penianit kaloi Vijën Kufitare Veriore duke përfunduar në ujërat territoriale të Jugut.

“Për të kërkuar tërheqjen e saj, ushtarakët tanë dërguan mesazhe dhe qëlluan një herë në ajër për paralajmërim”, ka deklaruar Seuli zyrtar.

Nga ana e tij, Veriu është përgjigjur me të shtëna dhe jo me tërheqje, “duke na detyruar të qëllonim sërish. Më pas anija u largua”, raporton më tej Jugu.

Ngjarja në fjalë dëshmon se provokimet mes palëve nuk mund të marrin fund lehtë, edhe pse pak ditë më parë Jugu dhe Veriu ranë dakord për rinisjen e bisedimeve formale të nivelit të lartë, të ndërprera që prej muajit shkurt të këtij viti.

Qeveria jugore saktësoi se marrëveshja për rinisjen e këtyre bisedimeve u arrit gjatë një vizite surprizë të delegacionit koreano-verior për të marrë pjesë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Aziatike.

Delegacioni drejtohej nga dy zyrtarë të lartë të vendit komunist, të konsideruar si këshilltarë të afërt të udhëheqësit Kim Jong-un. Takimi i parë mes delegacioneve pritet të bëhet brenda pak javësh.

Njëri prej drejtuesve të delegacionit të Penianit është Hwang Pyong-so, që vlerësohet si njeriu i dytë më i pushtetshëm në Korenë e Veriut, ndërsa nga pala Jugore bisedimet udhëhiqen nga Ministri i Ribashkimit, Ryoo Kihl-jae.

Që prej katër vjetësh, dy shtetet e të njëjtit komb nuk kanë patur asnjë marrëdhënie, qoftë edhe informale. Ndryshimi i kursit nga ana e Penianit interpretohet nga analistët ndërkombëtarë si i detyruar nga gjendja e mjeruar e ekonomisë së vendit komunist.

Top Channel