Greqia, pas gjashtë vitesh reçesion, parashikon një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2015. Kështu sugjeron projekt/buxheti për vitin e ardhshëm i paraqitur në Parlament nga zëvendësministri i Financave, Christos Staikouras.

Ndërkohë që për këtë vit, numri dy i Financave ka ritheksuar se rritja do të jetë 0.6 për qind e GDP-së.

“Vendi po hyn në një periudhë të gjatë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të tepricave buxhetore primare, të cilat do të nxisin punësimin, do të ulin papunësinë dhe do të përmirësojnë standardet e jetesës për të gjithë qytetarët. Ky është rezultat i sakrificave të papara nga familjet dhe bizneset greke. Dhe këto sakrifica nuk do të shkojnë dëm”, deklaroi Staikuras.

Prezantimi i projekt/buxhetit vjen teksa në vend vazhdojnë bisedimet me trojkën, ndërsa ekzekutivi përgatitet për një votëbesim.

Sipas analistëve, kjo lëvizje politike bëhet për t’u dhënë fund skenareve për zgjedhje të parakohshme në Greqi, ndaj dhe zëdhënësja e qeverisë deklaroi më herët gjatë muajit se proçedura për zgjedhjet presidenciale të marsit do të fillojë siç e parashikon kushtetuta, një muaj para mbarimit të mandatit të presidentit aktual Karolos Papulias, domethënë në shkurt 2015.

Votëbesimi konsiderohet gjithashtu se do t’i japë kohë të mjaftueshme qeverisë së koalicionit të konservatorëve dhe socialistëve të shfaqin një front të bashkuar në një moment kur Athina negocion me kreditorët e saj që ndodhen në kryeqytetin grek.

Zëvendëskryeministri Evangelos Venizelos deklaroi se ky veprim është një përpjekje për të siguruar “stabilitetin politik” në vend.

Sondazhet e fundit, të cilat i japin deri në 3.7 për qind më shumë Radikalëve të Majtë të partisë opozitare Syriza, që deklaron se kjo qeveri po shkon drejt shkatërrimit, kanë shtuar spekulimet se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke shkaktuar shqetësim tek kreditorët e Greqisë dhe tek tregjet financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA