Pranga drejtorit të burgut të Rrogozhinës

03/10/2014 00:00

Drejtori dhe dy mjekë të burgut të Rrogozhinës janë arrestuar nga
Seksioni Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë
Qarkut Durrës.

Hetimet ndaj Doksanit dhe dy mjekëve kanë nisur pas një denoncimi të bërë pranë Prokurorisë së Durrësit pak kohë më parë. Paraditen e së premtes policia ekzekutoi vendimet e Gjykatës së Durrësit për shtetasit Ferdinand Doksani, 49 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i burgut Rrogozhinë, si dhe dy mjekët e këtij institucioni, përkatësisht Aldo Konda, 26 vjeç dhe Fatri Hate, 46 vjeç.

Gjykata ka përcaktuar për këta shtetas masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” nga ana e drejtorit Ferdinand Doksani dhe “falsifikimit të dokumentave” për mjekët Konda dhe Hate.

Dy mjekët me miratimin e drejtorit të burgut falsifikonin raporte mjekësore për të mbështetur dhënien e lejeve për të burgosurit, kundrejt përfitimeve personale. Hetimet e nisura pas denoncimit të bërë në prokurori kanë çuar në dokumentimin e të paktën 11 rasteve të dhënies së lejeve në mënyrë të padrejtë.  

Ky është arrestimi i dytë për Doksanin, i cili qe arrestuar edhe në vitin 2012 për abuzime me tenderat e skrapit në kohën kur ishte drejtor i Azotikut në Fier. Një vit më parë, pas arratisjes së famshme të një grupi të dënuarish nga burgu i Drenovës, Doksani u paralajmërua nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço për largim nga puna.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta