
Për herë të parë është mbledhur Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ku janë diskutuar mënyrat më efikase për eleminimin e abuzimit me fëmijët dhe shfrytëzimine tyre.
Ministri i Rinise dhe Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, tha se po punohet intensivisht për kujdesin ndaj fëmijëve si dhe stimulimin e tyre për të hequr dorë nga rruga e për t’u orientuar drejt shkollës.
“Strukturat shtetërore kanë siguruar regjistrimin në gjendjen civile të 126 fëmijëve të cilët ishin privuar nga e drejta për një identitet ligjor sepse vinin nga komuniteti me ngjyrë, ose sepse burokracia neglizhonte regjistrimin e tyre për të patur një identitet ligjor. Me reformimin që kemi ndërmarrë me skemën e ndihmës ekonomike nga e cila përfitojnë 70 mijë fëmijë shqiptarë, për cdo fëmijë që e ndjek rregullisht shkollën dhe që vaksinohet ne japim një shtesë në ndihmën ekonomike prej 40 dollarësh. Kemi ndërmarrë edhe një sërë nismash të tjera që synojnë përfshirjen, pajisjen me aftësi profesionale falas për familjet në nevojë dhe të rinjtë që janë nevojtarë”, tha Veliaj.
Ministri Veliaj nuk anashkaloi rastin më të fundit të denoncuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare” ku Shoqata “Jetimet në fokus” premtonte statusin e jetimit për një 16-vjeçar duke kërkuar të abuzonte seksualisht me të.
Veliaj bën thirrje që askush të mos bjerë pre e shoqatave të tilla mashtruese pasi statusi i të papunit, ai i jetimit, statusi i aftësisë së kufizuar jepen vetëm në zyrat shtetërore dhe vetëm atëherë individi mund të gëzojë lehtësitë që njeh ligji.
Top Channel