Fatos Baxhaku – Në fillim të 1919-s kishte një pështjellim të madh në
mesin e dërgatave shqiptare që do të përfaqësonin vendin në Konferencën e
Paqes në Versajë.
Kishte shumë gjasë që kryevendi i burrave të dheut t’i linte mënjanë shqiptarët. Shumica e tyre ishin rreshtuar për arsye të ditura në krahun e humbësve, pra të Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë së mundur. Rreziku i zhdukjes së shtetit të brishtë shqiptar ishte fare evident. Pikërisht në atë kohë, qeveria e Durrësit vendos të vërë në krye të delegacionit të saj përfaqësues, imzot Luigj Bumçin, asokohe ipeshkëv i Lezhës (1872 – 1945). Bumçi kishte në krah të tij si sekretar personal një frat françeskan, të famshmin Gjergj Fishta (1871 – 1940). Pjesëtarë të tjerë të delegacionit ishin njerëz të njohur të Shqipërisë së asokohshme: Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Mehmet Konica. Të dy klerikët katolikë e takojnë Papën Benedikti XV në një audiencë të posaçme në Romë. “Uroj që misioni juej të dalë me sukses e prandaj po u nap nji bekim të posaçëm”, kështu thonë burimet e kohës t’u jetë drejtuar Ati i Shenjtë dy klerikëve që vinin nga vendi i rrënuar dhe në zgrip të zhbërjes.
Teksa më pas, Atë Gjergj Fishta ndërmerrte një udhëtim të gjatë në SHBA, imzot Bumçi dhe Mehdi Frashëri, të ngarkuar nga qeveria e Durrësit, kërkojnë një tjetër audiencë te Papa. Takimi mes klerikut të lartë nga Lezha dhe Papës Benedikti XV duhet të jetë zhvilluar diku nga fundi i dhjetorit të 1919-s. Vetë imzot Bumçi në një letër dërguar Atë Gjergj Fishtës e ka rrëfyer përmbajtjen e këtij takimi jo edhe aq të njohur. “Tesh pra Shejtni – shkruan imzot Bumçi – të gjith misat e dërgatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht myslimane, më kan çue perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në botën marë, të na epni ndihmën t’Uej të vlefshme si e u dini Ju vetë, qi të na pshtojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni-Venizelos. Mbasi marova fjlët e mia – vazhdon ipeshkvi – Papa Shejt, si pat ndejtë nji grimë herë pa ba za, u suell e tha: Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me ba, e din gjithë bota si jena. Me Francën marrëdhaniet janë shkëputë. Shka të baj?” Bumçi i është përgjigjur: “Un kishe me thanë, Shejtni, se bota s’ka metë vetëm në Itali e në Francë, ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme të Amerikës”. Atëherë Benedikti XV “bani buzën në gaz e me ‘i herë më përgjegj: ke të drejtë. E pra nesër do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me atë të Shteteve të Bashkueme, e po t’ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy province qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem për me Ju ndihmue. Zoti ka m’e ba mirë se prej Konferencet të Parisit mos pritni punë të mira, pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kenë …”.
Shteti i parë që njohu zyrtarisht Shqipërinë si shtet i pavarur ishte Vatikani. Më 12 nëntor 1920, Selia e Shenjtë emëroi delegat apostolik në Shqipëri, Ernesto Cozzi (1870 – 1926). Kishte nisur një histori e gjatë dhe e ndërlikuar jo vetëm diplomatike. Në Shkodër, në të njëjtën periudhë, u hap Gjimnazi Klasik i drejtuar nga françeskanët. Drejtues i tij deri në 1940 ishte Atë Gjergj Fishta. Vetë Benedikti XV dha 100 mijë lira. Një shumë goxha e madhe për kohën.
Piu XII (Papë 1939 – 1958)
Në fillim të 1945-s, gati në gjysmë ilegalitet në selinë e përfaqësisë britanike në Tiranë, zhvillohej një mbledhje e pazakontë. Diplomatët britanikë kishin marrë një letër urgjente nga vetë Ati i Shenjtë, Papa Piu XII, i cili u lutej që këtë t’ua bënin të ditur klerikëve vartës të tij në Shqipëri. Kontaktet fill pas nëntorit 1944 ishin bërë shumë të vështira. Përfaqësuesi më i lartë i klerit në këtë takim ishte imzot Leone Negris, delegat apostolik i Vatikanit në Shqipëri. Këtë letër Nigris e dërgoi në Shkodër, ku u lexua në heshtje të përkorë nga prelatët më të lartë të kishës katolike. Piu XII shprehte shqetësimin e tij të thellë për marrjen e pushtetit nga komunistët dhe kërkonte informacione të sakta nga grigja e tij. Nigris iu caktua detyra që të shkonte të takonte personalisht Papën.
Në kthim ai u shpall menjëherë persona non grata. Duhej të kalonin shumë vjet që të vinte sërish një emisar i Papës në Tiranë a në Shkodër.
Në maj të 1946-s, Piu XII i shkruante sërish ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Gaspër Thaçit, duke i kërkuar që “në asnjë mënyrë të mos lejohet që Shqipëria të mos qëndrojë gjatë në duart e komunistëve”. Askush nuk e di nëse letra papale mbërriti në duart e ipeshkvit. Ai vdiq në fund të muajit. Ndërkohë, Ati i Shenjtë vazhdonte të emëronte ipeshkvit me anë të Leone Nigris që, ndonëse në Vatikan, vazhdonte të ishte edhe për disa kohë, zyrtarisht në detyrë.
Papa Piu XII ishte edhe dëshmitari i një prej periudhave më të ndërlikuara të Kishës Katolike në Shqipëri, periudhës pas 1951, vit pas të cilit hyri në fuqi “Rregullorja” e imponuar e kishës. Sipas saj, vetë qeveria propozonte ipeshkvit dhe Vatikani vetëm formalisht duhej t’i emëronte ata. Në anuarin zyrtar të Vatikanit, Annuario Pontificio, vetëm rrallë u përmend emri i ndonjë ipeshkvi shqiptar të emëruar në një mënyrë të tillë.
Pali VI (Papë 1963-1978)
Papa Pali VI, paraardhës i Gjon Palit II, ishte i detyruar të shihte thuajse i pafuqishëm, se si grigja e tij persekutohej vetëm pak kilometra prej Selisë së Shenjtë. Ai e drejtoi Kishën që nga 1963 e deri në 1978 në periudhën më të errët të historisë besimtare të Shqipërisë. Megjithatë, ai pati rastin të bekojë dhe të ndihmojë aktivitetin e Patër Zef Oroshit. Ky ishte një klerik mirditor, i cili në 1952, madje pat tentuar edhe një kryengritje të armatosur në krahinën e tij. Oroshi pat emigruar në fillim në Jugosllavi e Itali dhe prej andej në SHBA, ku ishte një ndër iniciatorët më të zellshëm të idesë antikomuniste. Papa Pali VI dhe njerëzit e tij patën rastin të bashkëpunojnë me Oroshin në 1971, kur dom Shtjefën Kurti u ekzekutua me pushkatim për të vetmin “faj” se kishte guxuar të pagëzonte një fëmijë. Ekzekutimi i tij shkaktoi një valë protestash ndërkombëtare që mbërritën deri në dyert e selisë së OKB në Nju Jork.
Nën drejtimin e tij vazhdoi dhe u forcua transmetimi në shqip i edicioneve të Radio Vatikanit, stacionit që ishte themeluar që në 1951, fillimisht e drejtuar nga dom Zef Shestani. Për breza e breza të tërë, kjo radio ishte ura e vetme që lidhte besimtarët me zërin që donin të dëgjonin.
(Më gjerë shih: Markus W. Peters, Përballjet e historisë së kishës katolike në Shqipëri, 1919-1996, Ylber, Tiranë 2010).
Si guri e dheu që pengon rrjedhën e ujit!
Nga letra e Atë Pjetër Mëshkallës drejtuar ish-kryeministrit Mehmet Shehu, më 5 prill 1967, pas ndalimit kategorik të besimeve fetare
“…Ç’vlerë ka atëherë qëndrimi i një pakice të pandërgjegjshme e të frikësueme me lloj lloj presionesh. Sidomos pjesa e frikësueme me kërcnime, presjone, premtime o pushime nga puna, pëson torturën ma të madhen, sespe e lidhun nga kafshata e bukës, shtrengohet me mohue me gojë ate që beson, dhe kështu fushata që po bahet, synon me formue nji brezni pa kurojo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dëm të Atdheut.
… Vij tash tek unë. Unë vijën e jetës time nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit. Populli më njeh dhe e di mirë si kam shkri jetën për te. Unë thom se në këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipëri. Kur në vjetin 1945, në Tiranë, më 8 mars unë u ankova juve Shkëlqesë se kishem ndigjue prej komunistave fjalët: ‘këtë kishë do ta bajmë kinema’, ju mu përgjigjët se ‘Kjo asht propagandë armiqësore’. Në të vërtetë, as anmiku ma i terbuem i Pushtetit s’ka mujtë me ju ba nji propagandë ma armiqësore në 22 vjet, sa i keni ba ju vedit. Nuk më ka shtye me ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira…”.
Top Channel