Elivar Golemi bashkon Ramën me Berishën

20/09/2014 00:00

DENIS DYRNJAJA – Dy personazhet politikë më të zëshëm, më antagonistë
dhe më anatemues ndaj njëri-tjetrit sot në politikën shqiptare, u
pikëtakuan së fundi në çështjen e inspektores së përgjithshme të Bankës
së Shqipërisë.

Si Rama dhe Berisha mendojnë se Elivar Golemi nuk duhet të qëndrojë në burg, derisa ish-guvernatori Fullani me të njëjtën akuzë, do të hetohet me një masë sigurimi më të lehtë. Por arsyet për lirimin e kryeinspektores së Bankës nga paraburgimi janë të ndryshme. Rama mendon se gjykata po aplikon dy standarde në çmimin e së njëjtës akuzë, ndërsa Berisha mbron pafajësinë e bankierëve dhe sulmon Ramën për inskenim të procesit hetimor.

Gjithashtu ish-kryeministrin dhe kryeministrin aktual në një moment i bashkon edhe Fullani. Berisha e mbron fanatikisht ish-guvernatorin e kapur në zullum, ndërsa Rama shfaqet diplomatik për sa i përket detyrës së ish-guvernatorit dhe flet për raporte korrekte institucionale me të.

Të dy flasin edhe për meritë të Bankës në Stabilitetin Financiar të vendit, duke i adresuar meritën kush më direkt e kush më indirekt Fullanit si drejtues i Bankës së Shtetit.

Pyetja naive që lind natyrshëm është;

Po mirë, Bankën e Shqipërisë kush e katandisi dhe degjeneroi në këtë derexhe, ku duket sikur deti është bërë kos e kush mundi futi një ose dhe shumë lugë?!

Këtë duhet ta zbulojë e zbardhë prokuroria, në një hetim të thellë e të shtrirë jo vetëm te vjedhja e 713 milionë lekëve, por në të gjithë veprimtarinë e Bankës së Shtetit, të paktën në 10 vitet e fundit, duke përfshirë veçanërisht rekrutimet e punonjësve, ku duket se kriteret janë shkelur masivisht me qoka e stërqoka sa djathtas e majtas ndaj miqve në politikë. Për këtë, nevojitet një hetim i bazuar në veprime procedurale ligjore dhe ç’është më e rëndësishme, në mënyrë profesionale dhe jo një hetim populist, (për të bërë adetin), që do të prodhonte një proces të dështuar penal, i cili do t’i shërbente medias për zhurmë e show, politikës për rokadë emrash në krye të Bankës së Shqipërisë dhe popullit për asgjë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA