ALEKSANDËR ÇIPA – Media më e sinqertë dhe më triumfuese aktualisht në
vend është ajo e përdorur dhe e ndjekur në spektrin virtual, në
internet.
Krejt rrjetet sociale në shqip, po sfidojnë haptazi dhe me ndikim çdo ditë e më të fuqishëm median klasike. Kjo e fundit po ndjek me një kohë vonesë tematikat që shpalos vrullshëm dhe në anarkinë e pluralitetit të vet, media sociale. Kështu ka ngjarë edhe këto dy ditët e fundit, në lidhje me gafat e konstatuara nga lexues dhe prindër të kujdesshëm në tekstet shkollore të saposhpërndara për nxënësit në kuadër të vitit të ri mësimor.
Është një vërshim përqeshjeje që po përfshin shumëkënd dhe që pashmangshmërisht ka shkaktuar reagime zyrtare. Është dashur që vetë ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla të shprehë një qëndrim reagues dhe veprues zyrtar. Kjo ka ardhur pas përqeshjeve masive që u janë bërë pasazheve të gjetura në tekstet e Leximit dhe Gjuhës Shqipe, Fizikës dhe ndonjë lënde tjetër mësimore në shkollat e arsimit të ulët dhe 9-vjeçar. Fjalë dhe rrëfime banale, shembuj naivë e deri edhe antietik, keqedukues janë zbuluar nga prindër e lexues të vëmendshëm në këto tekste. Ndoshta të tjerë gjenden të pashpallur në ciklin e gafave që mbartin si brendi e shembuj ilustrues në aparatin e tyre këto tekste. Është kjo pjesë e recencës së pjesshme e të vonuar të këtyre teksteve nga prindër apo lexues të rastësishëm. Fat është që ky kontribut spontan po merr dimensionet dhe jehonën e gjithëshpërndarë për shkak të përdorimit të hapësirës së internetit dhe rrjeteve sociale. Në plan të parë nuk është “kryqëzimi” i natyrshëm populist i autorëve dhe administratës arsimore që ka detyrimin ligjor dhe administrativ të botimit dhe përgatitjes së tyre, por brendia dhe banaliteti që ka marrë formën dhe vlerën e librave.
Një krim i tillë edukativ, historik dhe antishkencor nuk mund të zhbëhet me vendimin administrativ të Ministrisë së Arsimit për nxjerrjen nga përdorimi të këtyre teksteve apo ribotimin e redaktuar të tyre nga grupe të tjera redaktorësh apo profesorësh të miratuar si pjesë e një komisioni të ri.
Ky skandal që po sjell ortekun e reagimit qytetar në rrjetet sociale nuk është përqeshje e teksteve dhe autorëve të tyre, e enteve apo botuesve që kanë fituar të drejtën apo tenderin përkatës. Kjo përqeshje është kapitull shtesë në përqeshjen që i është bërë dhe vijon t’i shtohet arsimit shqiptar, shkollës dhe cilësisë së saj në këtë vend. Një reagim i tanishëm vjen si “kofini pas të vjeli”.
Kjo flet për një mungesë përgjegjësie dhe sidomos për ineficencë brenda administratës së arsimit shqip që ka tagrin dhe përgjegjësinë ligjore për të mirëpërgatitur dhe selektuar botimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. Zbulimi i skandalit ka vënë para përgjegjësisë dhe ekspozuar së pari, të ashtuquajturat komisione të hartimit dhe miratimit të teksteve shkollore. Pas zbulimit të këtij skandali institucionet ligjore dhe ato administruese brenda strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe sidomos ato të kërkimit dhe studimit shkencor, meritojnë të vihen para llogaridhënies ligjore dhe institucionale për moskryerje të detyrës, pse jo edhe të shpërdorimit të saj. Madje është logjike dhe pjesë e drejtësisë edhe të penalizohen me rikthim pagesash të fituara prej tenderëve apo fondeve për kësi gafa-tekstesh. Arsimi publik apo ai privat në vend nuk mund të përfshijë në brendinë e skandaleve të veta edhe modelin e teksteve me gafa apo gafat në tekste.
Kjo përqeshje që vijon dhe që nuk është publikuar në të gjitha faktet e veta në bibliografinë e shkollave shqiptare, po shkakton investimin më të zi përqeshësh të shkollës shqiptare sot, jo vetëm në sytë e opinionit publik shqiptar, por në një dimension vështirë të kontrollueshëm edhe në arenën arsimore globale. Ky skandal “taze” është shumë herë më gjëmëmadh për integritetin dhe besueshmërinë ndaj shkollës dhe arsimit shqiptar sesa diploma apo historia e fitimit të saj nga djali i politikanit italian, “Bossi”.
Skandali i gafave të gjetura në tekstet tona mësimore është hise e skandalit apo gjendjes skandaloze që dëshmon administrimi ynë arsimor në krejt kohën e tranzicionit. Kjo kohë nuk meriton të krahasohet me veten, sepse nuk gjen model me gjendjen dhe standardin fqinjërues të vendeve të tjera. Gafat dhe banalitetet e bujshme me tekstet që kanë çelur siparin gjatë viteve të fundit, janë pjesë e realitetit skandaloz të debateve dhe polemikave për historinë, origjinën, gjuhën, shkencën, akademizmin dhe në përgjithësi për institucionet e memorialistikës, muzeologjisë, albanologjisë etj., etj. Kësi skandalesh mund të evitohen përmes pranimit të versionit të sugjeruar nga albanologë dhe ekspertë të huaj që zotërojnë njohje, por dëshmojnë edhe dashuri për arsimin dhe shkollën shqipe. Me të drejtë studiuesja Ledi Shamku shprehet se “dëmi që sjell vulgariteti është i pallogaritshëm” dhe sugjeron se: “Hiq katër tekstet tona identitare që janë Historia dhe Gjeografia e Shqipërisë, Gjuhë dhe Letërsi shqipe, tekstet e tjera nuk shoh asnjë arsye se përse duhet t’i bëjmë vetë. Ne e provuam t’i bëjmë vetë tekstet e përgjithshme, nuk ia dolëm me sukses. Nuk ka asgjë të keqe nëse këto tekste të merren nga vendet me të cilat synojmë të integrohemi”.
Sugjerime të tilla, në ditët kur mësimi dhe viti shkollor ka nisur, duken të vonuara. Të ardhura në çastin kur shpërthen skandali dhe jo në kohën parandaluese të tij, nuk e ulin koston apo dëmin publik të shkaktuar mbi imazhin dhe perceptimin publik për shkollën, tekstet dhe vetë administratën arsimore.
Por gjithsesi përmes kësi gafash të zbuluara nga prindër lexues e jo nga studiues e ekspertë institutesh apo të Ministrisë është shpërthyer përqeshja për tekstet tona në përgjithësi. Së paku pa dëshmuar më tej papërgjegjshmëri, të mundim të ndalim dhe shterim, përqeshjen për shkollën. Indiferenca apo përfshirja e të gjithëve në këtë përqeshje po shkakton gjymtim dhe traumë jo vetëm mbi imazhin dhe brendinë e shkollës sonë, por mbi gjeneratat aktuale dhe ato që do të pasojnë duke hyrë e dalë në shkollat e Shqipërisë së sotme. Kjo rrumpallë përqeshjeje do të na dalë së afërmi në mediat globale dhe do të mbillet si perceptim i zi nëpër mjediset e institucioneve arsimore dhe ato universitare të botës. Këtë “fryt” kemi për ta gjetur si përqeshje dhe nënçmim në shkollat dhe universitetet, ku duan dhe kanë aftësitë për t’u formuar nxënësit dhe studentët e këtij vendi, qofshin ata të kastës apo të të kamurve, të talenteve apo bursave. Le t’i shpëtojmë nga qeshja e huaj që shkaktohet prej përqeshjes sonë të sotme.
Kryetari i
Top Channel