Vdekjet e emigrantëve, Jolie në Maltë

16/09/2014 00:00

Ngjarjet e fundit në ujërat e Mesdheut, që në pak ditë u kanë marrë
jetën qindra emigrantëve klandestinë, kanë bërë që aktorja Angelina
Jolie, si përfaqësuese e posaçme e OKB-së për refugjatët, të vizitojë
selinë qëndrore të operacioneve detare në Maltë.

Mësohet se aktorja e njohur, e shoqëruar nga komisioneri i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, është takuar me autoritetet lokale dhe me të mbijetuar të tragjedive detare të ditëve të fundit.

Në kryeqytetin maltez të Valetës, Jolie ka vizituar gjithashtu disa familje refugjatësh sirianë që tetorin e një viti më parë i mbijetuan një tragjedie të ngjashme.

Mes tyre ka qenë edhe një çift nga Damasku, që ka humbur tre fëmijë të vegjël gjatë udhëtimit, si dhe një mjek nga Alepo, që ka humbur bashkëshorten dhe të bijën 3 vjeçe.

Jolie dhe Antonio Guterres kanë falenderuar autoritetet detare për angazhimin në operacionet e shpëtimit, që kanë patur rezultate pozitive dhe kanë mundësuar shpëtimin e shumë jetëve. Të dy ata kanë kërkuar më shumë përpjekje nga shtetet evropiane, me qëllim reduktimin e numrit të vdekjeve në det.

“Përgjigjia e Evropës duhet të jetë një përpjekje kolektive, që ofron mënyra më të sigurta për të gjetur mbrojtje, duke ruajtur në të njëjtën kohë një kapacitet të fortë për të shpëtuar jetët e njerëzve në det. Në rast dështimi, në dyert e Evropës do të ketë humbje të tjera jetësh”, tha Gueterres.

Një ditë më parë mediat evropiane raportuan për qindra të mbytur në Mesdhe, si pasojë e fundosjes së dy mjeteve lundruese që transportonin njëra 250 dhe tjetra rreth 500 emigrantë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel