I njohur si Papa i parë jo italian, pas 455 vitesh histori të Papatit, i pari Papë polak, i pari Papë që vizitoi një vend komunist, Papa i parë që viziton një xhami, xhaminë Omajden në Damask, më 25 Prill 1993, Papa Gjon Pali i II-të vizitoi Shqipërinë për herë të parë, së bashku me Nënë Terezën.
Sipas të dhënave të asaj periudhe, thuhet se në ceremoninë e organizuar në sheshin “Skënderbej” morën pjesë mbi 200 mijë shqiptarë. Vizita në Kishën Katolike ishte një nga pikat më kulmore të ardhjes së Papës në Shqipëri.
Papa Gjon Pali i II-të organizoi Arqipeshkëvinë shqiptare pas komunizmit, me shugurimin e katër arqipeshkëve shqiptarë: Imzot Frano Ilinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
Papa Françesku konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri, më 21 Shtator. Përgatitjet për ardhjen e Tij dhe për një pritje të denjë të kreut të Vatikanit kanë filluar me kohë.
Ndër të tjera, Kisha ka theksuar se ky është shtegtimi i parë i Papa Françeskut në një vend evropian dhe siç e ka theksuar dhe ai vetë, me këtë udhëtim të shkurtër do të konfirmojë besimin e Kishës në Shqipëri, si dhe të japë inkurajimin për një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës.
Shtegtimi i Papa Gjon Palit dhe Papa Françeskut në Shqipëri
Atë ditë, e gjithë bota do t’i ketë sytë në Shqipëri! Vendi ynë bekohet për herë të dytë nga Vatikani.
Nga Papa Gjon Pali i II-të te Papa Françesku, kanë kaluar plot 21 vite. Në një udhëtim nga Katedralja e madhe e Shkodrës, ku Papa Gjon Pali i II-të mbajti meshën në vitin ’93, për te vizita që pritet të bëhet nga Papa Françesku në fshatin “Betania”, ku nostalgjikët kujtojnë emocionet, ndërkohë që të tjerë presin me padurim vizitën e 21 Shtatorit.
“Të gjithë ne besimtarëve na duket si një ëndërr. Na ka mbushur me gëzim të gjithë ne besimtarëve katolikë”, thotë Imzot Angelo Massafra.
Ai nuk ka qenë në Shqipëri, por ka ndjekur në çdo moment vizitën e Papës këtu, ndërkohë që shkodranët i kanë folur shumë për përjetimet e asaj dite. Ndërkohë që tregon se gjatë jetës së tij ka takuar 5 Papë: “Janë emocione që nuk mund të përshkruhen, vetëm mund të përjetohen.”
Antonio është nga më të vjetrit dhe ruan shumë kujtime të vyera, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka marrë edhe kungimin: “Në vizitën e Papës kishte edhe njerëz të besimeve të tjera. Të gjithë e kanë pritur me shumë entuziazëm.”
Valentini ka pasur një rol shumë të rëndësishëm, si pjesë e grupit organizues: “Tre çifte fëmijësh i ka dhuruar Papës ujë dhe verë, frutat dhe bukën.”
Në shoqatën humanitare “Betania” janë duke u bërë përgatitjet e fundit, ndërkohë që fëmijët e strehuar aty tregojnë për momentin e parë që kanë marrë vesh mbërritjen e Papes në vendin tonë: “Jemi shumë të lumtur për ardhjen e Papës. Është një nga eventet më të rëndësishme të jetës, një bekim për ne.”
Top Channel