SHBA, ushtria kundër Ebolës

16/09/2014 00:00

Administrata amerikane pritet të njoftojë gjatë së martës planet për të
dërguar 3 mijë trupa në Liberi, për të ofruar ndihmë në luftën kundër
virusit Ebola.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare amerikane, sipas të cilave plani do të njoftohet nga vetë presidenti Barack Obama.

Mësohet se ushtria amerikane do të mbikëqyrë ndërtimin e qendrave të reja mjekësore dhe do të ndihmojë në trajnimin e personelit mjekësor.

Në javët e fundit ka patur kritika të shumta ndaj komunitetit ndërkombëtar, për përgjigje të ngathëta ndaj epidemisë se Ebolës në Afrikën Perëndimore.

Sierra Leone, Liberia dhe Guinea janë vendet më të prekura nga virusi, përhapja e të cilit ka marrë jetët e 2.400 personave. Më shumë se gjysma e viktimave kanë qenë në Liberi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi së fundmi se vendi mund të regjistrojë mijëra raste të tjera.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara do të diskutojnë mbi përgjigjen ndërkombëtare ndaj Ebolës në një takim që do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës.

Presidentja liberiane, Ellen Johnson Sirleaf ka apeluar direkt presidentin amerikan Obama për ndihmë në frenimin e epidemisë.

Edhe presidenti i Ganës, John Dramani Mahma u shpreh të hënën se, një ndihmë më e madhe e më e shpejtë nga jashtë ishte e mirëpritur.

Ekspertë të shumtë të sëmundjeve virale kanë mirëpritur planin e Shteteve të Bashkuara, edhe pse disa prej tyre vënë në dyshim fokusin në Liberi.

Virusi Ebola përhapet mes njerëzve nga kontakti direkt me gjakun e infektuar apo me lëngje të tjera trupore, si dhe në mënyrë indirekte nga kontakti me ambjentet e infektuara.

Top Channel