
Presidenti amerikan Barack Obama ka vlerësuar me medaljen më të lartë të kombit dy ushtarë, për akte trimërie gjatë luftës së Vietnamit.
Bëhet fjalë për komandantin Bennie Adkins, me gradën rreshter-major, i cili shpëtoi shokët e plagosur gjatë një sulmi të vietnamezëve veriorë në një kamp ushtarak amerikan.
Ndërsa i dekoruari tjetër është specialisti Donald Sloat, që u vra në vitin 1970, kur mbuloi me trupin e tij një granatë për të shpëtuar shokët në luftë.
Adkins, pavarësisht moshës së thyer, ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar në Shtëpinë e Bardhë për të marrë medalien, ndërsa Sloat përfaqësohej nga vëllai i tij.
Dy oficerëve iu akordua Medalja e Nderit, që u jepet anëtarëve të ushtrisë amerikane që kanë rrezikuar jetët e tyre përmes veprimeve që shkojnë përtej detyrës së ushtarakut.
Komandant Adkins, aktualisht 80 vjeç, ka shërbyer për 22 vjet në ushtri. Gjatë vendosjes për herë të dytë në Vietnam, ai luftoi për 38 orë rresht kundër vietnamezëve të veriut, që kishin sulmuar një bazë amerikane në luginën Shau.
Gjatë betejës, ai tërhoqi dhe çoi në një zonë të sigurtë shumë ushtarë të plagosur, duke kundërsulmuar me goditje mortajash dhe armë automatike, edhe pse vetë ai u plagos.
Ai vazhdoi të luftonte për të mbrojtur kampin dhe kur mbërriti urdhëri i evakuimit bashkë me shokët e tij shkatërruan dokumentet që të mos binin në duart e armikut.
Adkins dhe disa të tjerë nuk e arritën dot helikopterin e evakuimit për shkak se ai mbante në shpatulla një shok të plagosur dhe për pasojë udhëhoqi ushtarët e mbetur në xhungël, duke u shpëtuar vietnamezëve për 48 orë, derisa erdhën skuadrat e shpëtimit.
Ndërsa specialisti Donald Sloat u vra në moshën 20-vjeçare, pasi një armik hodhi një granatë ndaj togës ku ai bënte pjesë. Sloat e kapi granatën, por në pamundësi për ta hedhur diku larg, ai e mbuloi me trupin e tij derisa shpërtheu. Vëllai i tij William pranoi medaljen nga presidenti Obama ditën e hënë.
Top Channel