Danimarkë, vrasje në sallën e gjyqit

16/09/2014 00:00

Një person është qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur rëndë
në një sallë gjyqi në një gjykatë të Kopenhagenit, në Danimarkë.

Lajmin e bën të ditur policia daneze, sipas të cilës ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit. Ndërsa një dëshmitar ka thënë për mediat lokale se autori qëlloi 5 ose 6 herë.

Mësohet se i dyshuari si autor i krimit është arrestuar, ndërsa në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pushkë e tipit shotgun.

Rrugët përreth gjykatës janë bllokuar nga policia. Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta. Në sallë po zhvillohej një seancë kur shpërthyen të shtënat.

Sipas mediave nordike, shkak për aktin kriminal dyshohet se është bërë një sherr familjar, që ndodhi pak më herët se të niste seanca.

Personi i parë që u qëllua ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyti u dërgua në spital ku dhe ndodhet në rrezik për jetën.

Një dëshmitar u tha gazetarëve se autori i krimit arriti të largohej nga gjykata, por u arrestua pak më vonë në një rrugë pranë sheshit kryesor të Kopenhagenit.

Top Channel