Britani, inflacioni bie në 1.5 për qind

16/09/2014 00:00

Kuota vjetore e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar ra në muajin gusht,
teksa çmimet e naftës, ushqimeve dhe pijeve joalkolike pësuan rënie.

Indeksi i çmimit për konsum ra në 1.5 për qind nga 1.6 që ishte në gusht, bëri të ditur Zyra Kombëtare e Statistikave.

Kjo do të thotë se Banka e Anglisë do të mbetet nën presion për të rritur normat e interesit në mënyrë që të mbajë inflacionin në ose nën objektivin e saj, që është 2 për qind.

Inflacioni për çmimin e shitjeve me pakicë pësoi gjithashtu një rënie në 2.4 për qind, nga 2.5 që ishte muajin e kaluar. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkolike ranë me 1.1 për qind, duke shënuar rënien më të madhe për më shumë se një dekadë.

Një zëdhënës i zyrës së statistikave deklaroi se konkurrenca mes kompanive të supermarketeve rivale ka qenë një faktor ndikues në këtë rënie. Ndërsa një tjetër element që ka ndikuar tek çmimet ka qenë moti i ftohtë më herët gjatë vitit.

Ndërsa sa u takon kategorive të tjera, si pijet alkolike, veshjet dhe shërbimet e transportit, çmimet u rritën më shpejtë se sa kuota e inflacionit. Edhe bërthama e inflacionit, që përfshin ushqimet, alkoolin, duhanin dhe energjinë arritën një rritje maksimale me 1.9 për qind.

“Përtej thashethemeve, supozimeve dhe profecive mbi rritjen e normave në Mbretërinë e Bashkuar, inflacioni aktualisht është në minimumin 5-vjeçar”, deklaroi Jeremy Cook, kryeekonomist në kompaninë e këmbimit valutor “World First”.

“Sigurisht, shifrat e publikuara nuk tregojnë të gjithë historinë. Çmimet bazë çuditërisht u rritën me 1.9 për qind në gusht. Ato nuk ishin të prekura nga lëvizjet e çmimit të naftës, apo rënia 1.1 për qind e konsumit të ushqimeve dhe pijeve alkolike në 12 muajt e fundit”, shtoi eksperti.

Top Channel