Tajlandë, vriten 2 turistë britanikë

15/09/2014 00:00

Dy turistë britanikë janë vrarë në një sulm në një plazh në jug të Tajlandës, raporton policia lokale. Autoritetet dyshojnë se viktimat, një femër dhe një mashkull, janë sulmuar natën e së dielës në ishullin Koh Tao.

Viktimat, trupat e të cilëve u gjetën me plagë serioze mëngjesin e së hënës, i përkasin një vajze 23-vjecare dhe një djali 24, nga lokalitetet Norfolk dhe Jersey të Britanisë së Madhe.

Ministria e Jashtme britanike ka deklaruar se po heton informacionet e marra. Zyrtarë të policisë kanë bërë me dije se kanë informuar familjarët e viktimave dhe se janë vënë në kontakt me kolegët tajlandezë, për të hetuar bashkarisht vrasjet.

Trupat e tyre u gjetën pranë një kasolleje turistike në breg të detit, ku çifti po qëndronte për pushime. Policia tajlandeze deklaroi se të dy ata kishin marrë plagë të rënda. Një shat për punimin e tokës dyshohet se është përdorur gjatë sulmit dhe objekti është gjetur pranë vendit të ngjarjes.

Sidoqoftë, autoritetet deklaruan se u duhet ende të gjejnë të dyshuarit dhe të zbardhin motivet e vrasjes së turistëve, që kishin mbërritur në Tajlandë muajin e kaluar.

Për këtë qëllim, varkat që ndodheshin në ishull u ndaluan të largoheshin, por kjo masë, sipas BBC, nuk zgjati shumë dhe mjetet lundruese filluan të iknin e të vinin në ishull.

Koh Tao është një ishull i frekuentuar kryesisht nga zhytësit sesa nga pushuesit. Të paktën 11 shtetas britanikë janë vrarë në Tajlandë që prej vitit 2009, sipas Ministrisë së Jashtme britanike.

Në rastin konkret, autoriteteve do t’u duhet të lëvizin shpejt për të ruajtur besimin në industrinë e turizmit, që mbulon rreth 1 të dhjetën e GDP-së së Tajlandës dhe që është dëmtuar nga kaosi politik i viteve të fundit.

Top Channel