
Rreth 1300 trupa nga 15 vende anëtare të NATO-s, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara nisën një stërvitje të përbashkët ushtarake me ushtrinë ukrainase pranë qytetit perëndimor të Lvivit.
Uashingtoni thotë se stërvitja e përbashkët ishte në plan para shpërthimit të krizës ukrainase, ku forcat ushtarake të Kievit prej muajsh po përballen me separatistët e mirëarmatosur pro-rusë në lindje të vendit.
Në lindje është në fuqi armëpushimi pa afat të arritur disa ditë më parë, megjithatë raportimet për luftime sporadike nuk kanë munguar.
Më herët autoritetet ukrainase njoftuan rimarrjen nën kontroll të aeroportit të Donetskut i rënë në duart e separatistëve rreth dy javë më parë. Në fundjavë Ministri ukrainas i mbrojtjes, Valery Heletey tha se vende anëtare të NATO-s kanë nisur dërgimin e armëve në Ukrainë për të ndihmuar në luftën kundër rebelëve. Ai nuk saktësoi se cilat ishin këto vende dhe as llojin e armatimit që do t’i ofrohet ushtrisë ukrainase.
Deklarata të ngjashme janë bërë edhe më herët nga zyrtarët në Kiev, por vendet anëtare të NATO-s të përfolura për dërgesa në drejtim të Ukrainës kanë mohuar kategorikisht diçka të tillë.
Drejtues të Aleancës thonë se nuk ka asnjë plan për të ndihmuar me armë vendet joanëtare, megjithatë shtojnë se vende të veçanta të NATO-s mund ta bëjnë këtë.
Top Channel