
Në këtë shtëpi, sot të vetmuar jo larg qytetit të Rubikut, dikur jetonte
Abat Preng Doçi , njeriu që jetën ia kushtoi jo thjesht fesë, por mbi
të gjitha edhe çështjes kombëtare.
Nuk është e lehtë të numërosh apo të rreshtosh sot veprën e tij; korrespondencën me Ismail Qemalin, Gurakuqin, De Radën , Konicën, radhët e Nopçes, Durhamit, betejat si luftëtar e rrugëtimet e pafundme në mërgim, deri në rikthimin në atdhe…
Gjithçka duket sa e gjallë, aq edhe e lënë mënjanë, për shkak të këtyre mureve, sot të copëzuar nga braktisja. E vështirë të prekësh këtë gjurmë e të mos hidhesh më pas tek abacia e Oroshit, vendi që u rimëkëmb diku në vitet 1888-1889 nga abati Doçi, duke pasur një status të veçantë varësie të drejtpërdrejtë nga Vatikani…
Në fakt, historia që vinte në Oroshin shekullor të traditës, e që u ndoq nga abat Doçi, rridhte nga diku më sipër, nga një vend që duket edhe sot, sa enigmatik aq edhe i përhumbur.
“Nënshejti ngrihet në këmbët e malit të shenjtë. Historia e lidh me mite, ndërsa pozicioni gjeografik me bukuri mahnitëse natyrore. E megjithatë, përtej tyre, fshati ka mbetur i izoluar, i braktisur, aq sa hera-herës duket sikur nuk ka dalë kurrë nga legjendat që e rrethojnë, e që vazhdojnë të marrin frymë, me banorët e pakët mbetur ende kësaj ane”.
Një shteg i lodhur dredhon me sytë nga rruga e kombit, që ndodhet pak kilometra më tej. Ngjitja për në malin e shenjtë nuk është më shumë se 11 kilometra, edhe pse si pasojë e rrugës duken disafish kaq. Banorët tregojnë se mbi kryet e malit të Shenjtë, diku në shekullin e 11, ngriheshin rreth 6 apo 7 kisha. Jo më kot, Ndue Dedaj, studiues i njohur i zonës, e ka cilësuar si tokën e katedraleve apo kryetempullin e krishtërimit…
Dikund, kisha e Shel Bumit, e ngjitur rezidenca e kardinalëve. Pak më tej qendra kishtare dhe tregtare, ku ngrinin krye rreth 7 ndërtesa. Sot prej tyre kanë mbetur veç gërmadha, pikërisht në këtë shesh, që sot duket i boshtë. Megjithatë, historia ka mbetur pas, e ruajtur brez pas brezi mes banorëve.
“Gjithë këto shenja të historisë përse të mos lexohen, pse të mos pyeten, pse të mos flasin? Për çështjen e kombit ne mirditorët nuk jemi lokalistë. Ne duam t’i shërbejmë kombit edhe me historinë, edhe me realitetin”, shprehet Gjovalin Ndoja, banor i zonës.
Gërmime të mirëfillta nga ekspertë nuk janë kryer kurrë, përveç ndonjë abuzuesi, që duket tek-tuk për të gërmuar e rrëmbyer diçka nga nëntoka e pasur me objekte…
Gjovalini tregon për lisat, apo ultitë – siç i thonë banorët e sjellë nga benediktinët e Padovës rreth 900 vjet më parë. – Dikur ka pasur 11 të tillë, ndërsa sot, i fundit dergjet krah tokës…
Toponimet janë të gjitha të lidhura me historinë e kësaj zone; frulleta e kreshmeve, kisha e petkut, kodra e Shën Kollit, shkalla e shenjtë, qafa e qiririt, dritarja e zotit, e kështu me radhë. Ata të tregojnë çdo gjë sikur ekziston edhe sot, edhe pse asgjë nuk duket me sy të lirë, gjithçka ngre krye ende mes banoreve…
Ashtu si fshati, që sot i gjysmuar në rreth 70 banorët e tij, përballon me vështirësi harresën e imponuar.
“7-8 familje janë me përkrahje sociale, nga 3 mijë deri në 5 mijë lek. Të parët janë familje me nga 3-4 banorë, ndërsa të dytët me nga 9-10 banorë. Të ardhurat janë shumë të pakta, por i kemi ndihmuar edhe me ndonjë blegtori, me shitje qingji apo viçi. Të ardhurat janë shumë të vështira të gjenden”, shprehet kryeplaku Zef Biba.
Dikur fshati mbahej me prodhimin e patates, një lloj i veçantë – siç thonë banorët – në ngjyrë të kuqerremtë, e që një kokërr shpesh peshonte më shumë se 1 kilogram e gjysmë. Sot, si dikur, ka mbetur vetëm blegtoria, prej saj vijnë të paktat burime të ardhurash për ta.
“Punë s’ka, pensioni është i vogël, tokë s’kemi sepse shteti i ka shitur të gjitha këto këtu, në vend tjetër s’kemi, me se të jetojmë?”, pyet Ndue Ndoi, një tjetër banor i zonës.
“Çdo qeveritar ka shokët e vet, korrupsionin e vet, ka edhe gjërat apo poshtërsirat e veta”, thotë Prena Ndoi.
Mikpritjen e kanë të rrallë, ashtu siç u takon mirditorëve të thonë, edhe pse hallet u peshojnë fort mbi shpinë. Si në kullën pasuese, ku Leka na pret në dhomën e traditës.
Të ndash Nënshenjtin nga mitet, nga të veçantat, është e pamundur. Mjafton të ndalesh te Lleshi, ish-aktor e sot një skulptor i njohur, që kalon shumë tejmi kufijtë e zonës e të Shqipërisë. Veprën e tij të fundit mund ta dallosh vetëm nga një lartësi e madhe, për shkak të madhësisë së saj. Krishti i kryqëzuar, flamuri i Principatës së Arbërit e djathtas ai i Vatikanit… Një vepër në respekt të vizitës së Papës, në kah të të cilit ka shënuar edhe inicialet e Papa Klementit të XI, apo Papa Albanit shqiptar, siç njihet më gjerë.
E megjithatë, në fshatin ku legjendat mpleksen me të tashmen, zhgënjimi është i madh. Rrugën, që i çon në pak kilometra në aksin e kombit, e kanë hapur me forcat e tyre, duke mbledhur kush më shumë e kush më pak rreth 3 milionë lekë. Shkolla, që dikur ishte në këtë fshat, sot është mbyllur, pa llogaritur problemet me shëndetësinë e shumëçka tjetër…
“Të të them të drejtën e shpirtit të fshatit Nënshenjtë, i kthyer mbrapsht fshatit nënë, i mungon ndihma e nënës së madhe, ajo e shtetit. Qoftë nga qendra, ashtu edhe këtu në periferi. Sipas thashethemeve, shumë parà kanë ardhur për rrugën, parà kanë ardhur për ambulancën, por në të vërtetë ne nuk shohim asgjë”, shprehet Llesh Biba.
Jo më kot, diku në një pjesë të fshatit dallohen edhe rrënojat e mbetura nga selia verore, e asaj që konsiderohej si familja e parë e Mirditës, Gjonmarkajve nga Oroshi. Fshati, bukurinë e ka të rrallë, ndërsa investimet të pakta, për të mos thënë inekzistente.
Ndërkohë që mund të jetë një pikë pelegrinazhi, një pikë turistike, një pikë ku mund të kryhen gërmime arkeologjike; sot Nënshenjti edhe frymëmarrjet duket sikur i ka të kursyera, e sigurisht jo për faj të tij…
Mali i shenjtë mbetet pas, e po ashtu Nënshenjti i vogël. Duket sikur thjesht presin të zbulohen sërish.
Top Channel